Aprohet padia e IKD-së, shfuqizohet ndryshimi i Rregullores së punës së KPM-së

Gjykata Supreme e Kosovës ka miratuar kërkesëpadinë e paraqitur nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) kundër Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), duke shpallur të paligjshëm dhe duke shfuqizuar Rregulloren e punës së këtij institucioni, shkruan Reporteri.net.

Në aktgjykimin e saj, Supremja ka vlerësuar si të themeltë padinë e IKD-së që kishte kërkuar shfuqizimin e paragrafit 2 të nenit 3 të Rregullores së Punës së KPM-së (KPM-2025/01), e cila ishte miratuar më 17 janar 2025.

Sipas vendimit, ky paragraf është shpallur i paligjshëm dhe nuk do të ketë më fuqi juridike.


Gjykata ka vendosur që “dosja e plotë e rastit PA.6/2025, së bashku me të gjitha shkresat përkatëse, t’i dorëzohet gjykatës së shkallës së parë për të vendosur lidhur me ligjshmërinë e vendimit për zgjedhjen e Kryetarit të KPM-së”, po ashtu të miratuar më 17 janar 2025 dhe të kontestuar përmes një padie të veçantë.

“Kolegji i Gjykatës Supreme në çështjen juridike të konfliktit administrativ sipas padisë së paditëses: OJQ “Instituti i Kosovës për Drejtësi” kundër të paditurit: Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), me bazë juridike: shpalljen e paligjshmërisë dhe shfuqizimin e aktit nënligjor normativ, Rregullores së Punës së Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM-2025/01), të miratuar në mbledhjen e mbajtur më datë 17 janar 2025, në seancën e shqyrtimit gjyqësor publik të mbajtur, në praninë e palëve ndërgjyqëse, më datë 10 qershor, ka aprovuar si të themeltë kërkesëpadinë e paditëses, OJQ “Instituti i Kosovës për Drejtësi”, e paraqitur kundër të paditurit, Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), me seli në Prishtinë”, thuhet mes tjerash në komunikatën e Supremes.

Në janar të këtij viti, Besnik Berisha u zgjodh kryetar i ri Komisionit të Pavarur për Media (KPM) për një mandat dyvjeçar. Procesi i votimit, i cili ndodhi disa ditë para përfundimit të mandatit të kryetarit aktual, Jeton Mehmeti, nxiti reagime të shumta.

/Reporteri.net/