Gjykata e Apelit ka ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, në rastin ku Shaip Ferizi, Shqipe Avdiu, Arben Jashari, Mustafë Vitia, Mexhid Mustafa, Besnik Ferizi, Faton Topanica, Arsim Topanica, si dhe Ajdar Jashari ishin shpallur fajtorë dhe dënuar me mbi 12 vite burgim (së bashku) lidhur me akuzën për dëmtimin e buxhetit të shtetit në vlerë mbi 2 milionë euro. Apeli shpalli aktgjykim lirues ndaj nëntë të akuzuarve.
Ata akuzoheshin se cigaret në vlerë prej 2 milionë e 931 mijë e 929 euro e 8 centë nuk i kishin dorëzuar në KFOR, por ua kishin shitur kompanive të tjera pa banderolë, duke i shkaktuar evazion fiskal buxhetit të Kosovës në shumën prej 2 milionë e 441 mijë e 927 euro e 71 centë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Themelorja i kishte dënuar nëntë të akuzuarit për “Keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi” dhe ndihmë në kryerjen e kësaj vepre.
Ndaj vendimit të Themelores, ankesë kishte parashtruar Prokuroria Speciale mbi pretendimin për vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe vendimin mbi sanksionin penal. Kishte kërkuar nga Apeli që të akuzuarve t’iu shqiptohet dënim më i lartë.
Ndërkaq, edhe mbrojtësit e nëntë të akuzuarve, avokatët: Besim Parduzi, Blerim Hertica, Bedrie Rexhepi, Florin Vërtopi, Mentor Neziri, Agron Curri, Argjent Sefa, Arlind Jupolli dhe Asdren Bytyqi, kishin parashtuar ankesa me pretendimet se aktgjykimi i Themelores është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkeljes së Ligjit Penal. Ata kishin kërkuar nga Apeli lirimin e të mbrojturve të tyre ose që rasti të kthehet në rigjykim.
Kurse, Prokuroria e Apelit me parashtresë kishte propozuar që të aprovohet ankesa e Prokurorisë Speciale dhe të akuzuarve t’iu shqiptohen dënime më të larta me burgim, ndërsa të refuzohen ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve si të pabazuara.
Andaj, Kolegji i Apelit, me vendimin e përpiluar më 7 maj 2025, ka konstatuar se ankesat e mbrojtësve janë të bazuara, ndërsa ajo e Prokurorisë Speciale e pabazuar.
Sipas Apelit, vendimi i Themelores nuk është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, mirëpo është bërë vërtetim i gabuar i gjendjes faktike dhe me këtë gabimisht i ka shpallur fajtorë të akuzuarit për veprën penale të ricilësuar nga aktakuza fillestare e të precizuar nga prokurori në fjalën përfundimtare.
Aty thuhet se me veprimet e të akuzuarve nuk përmbushen elementet e veprës për të cilën ata janë shpallur fajtorë.
Në arsyetim të Apelit, potencohet se nga aktakuza fillestare të akuzuarit Ferizi, Avdiu-Shala dhe Jashari akuzoheshin se kanë kryer veprën penale “Krimi i organizuar” lidhur me veprën penale “Shpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “Shmangie mashtruese nga pagesat e detyrimeve” të Kodit Doganor, ndërsa të akuzuarit Vitia, Mustafa, Gashi, Ferizi, Faton Topanica, Arsim Topanica dhe Jashari akuzoheshin për veprat penale “Krimi i organizuar” dhe “Shmangie mashtruese nga pagesat e detyrimeve”.
Më pas, aktakuza fillestare thuhet se ishte precizuar në veprën bazë “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” (sipas Kodit në fuqi në atë kohë dhe si më i favorshëm për të akuzuarit), ndërsa në fjalën përfundimtare, prokurori ka bërë përsëri precizimin e veprës penale bazë duke e kthyer në Kodin e vjetër “Shpërdorimi i detyrës zyrtare”, ndërkaq veprat tjera kanë mbetur të pandryshuara.
Apeli pajtohet me gjetjet e shkallës së parë lidhur me veprën penale “Krimi i organizuar”, me arsyetimin se ky rast nuk ka të bëjë me këtë vepër.
“Në rastin konkret kemi të bëjmë me një shfrytëzim të rastit që të blihet mall pa banderola, i pa doganuar, dhe rrjedhimisht më i lirë, të cilën mundësi e kanë ofruar të akuzuarit që kanë punuar në organizatën e biznesit BDF PX. Po ashtu ky kolegj pajtohet edhe me gjetjet e Gjykatës së shkallës së parë lidhur me mos përmbushjen e elementeve të veprës penale shpërdorimi i detyrës zyrtare, pasi që të akuzuarit nuk kanë gëzuar pozita zyrtare që të cilësohen si të tillë”, thuhet në vendim.
Lidhur me këtë, Apeli thekson se Prokuroria nuk kishte provuar me asnjë provë strukturën e grupit — përmbushjen e elementeve të krimit të organizuar, por flitet vetëm në mënyrë të përgjithësuar. Aty thuhet se Themelorja thekson se kanë pasur detyra të caktuara, por me asnjë provë nuk e dëshmon se si janë dhënë këto detyra, kush i ka dhënë dhe cilat kanë qenë ato.
Sipas Apelit, të akuzuarit kanë komunikuar për të mos i dërguar cigaret në PX, por t’i shesin ato në tregun e zi ose biznese private, ku dhe është zënë në flagrancë i akuzuari Arsim Topanica, dhe kjo metodë ka vazhduar mbi një vit edhe me të tjerët.
Lidhur me ricilësimin e veprave penale gjatë shpalljes së vendimit të Themelores në “Keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi”, Apeli gjen se që të kryhet kjo vepër penale, kryerësi i kësaj vepre duhet të veprojë me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për organizatën e biznesit ose personin juridik në të cilin është i punësuar, por nga provat nuk rezulton se kjo është bërë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjithnjë sipas Apelit, në bazë të përgjimeve të telekomunikimeve, rezulton se të akuzuarit kanë bashkëpunuar që një pjesë të mallit të importuar për KFOR ta shesin në tregun e Kosovës, duke iu shmangur tarifave doganore. Mallrat janë futur në depot e kompanisë vetëm në mënyrë fiktive, përmes falsifikimit të dokumentacionit, ndërsa në realitet cigaret janë shitur te shitës të ndryshëm.
Por, kjo sipas Apelit nuk vërteton se është bërë në dobi të organizatës së biznesit apo për personin juridik për të cilin kanë punuar. Në fakt, rezulton të jetë kryer në dëm të organizatës së biznesit, duke pasur parasysh që malli që e kanë importuar nuk ka shkuar në destinimin e caktuar.
Andaj, bazuar në këtë, gjykata e shkallës së dytë gjen se nuk janë plotësuar kushtet themelore të veprës “Keqpërdorimi i autorizimeve në ekonomi”, për të cilën të akuzuarit janë shpallur fajtorë.
“Pra, qëllimi i realizimit të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për organizatën e biznesit nuk është përmbushur, gjegjësisht nuk ka asnjë provë që dëshmon se të akuzuarit ishin duke vepruar për qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për organizatën e biznesit BDF PX”, thuhet në aktgjykim.
Ndërkaq, të akuzuarit e tjerë të cilët ishin shpallur fajtorë për dhënien e ndihmës ndaj të tjerëve, Apeli vlerëson se nuk mund të shpallen fajtorë pasi që nuk është vërtetuar fajësia e tyre.
“Edhe sa i përket të akuzuarve tjerë të shpallur fajtor për vepër penale ‘Keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi’ në ndihmë nga neni 236 paragrafi 1 dhe 2, lidhur me nenin 25 të KPPK-së, Kolegji i Apelit gjen se nuk mund të shpallen fajtor për ndihmë në kryerjen e kësaj vepre, meqenëse tre të akuzuarit e parë nuk kanë kryer veprën për të cilën janë shpall fajtor”, thuhet në vendim.
Aty thuhet se nga aktgjykimi i ankimuar nuk mund të kuptohet se në cilën mënyrë gjashtë të akuzuarit i kishin ndihmuar tre të akuzuarit e parë në keqpërdorimin e autorizimeve në ekonomi.
Po ashtu, Apeli thekson që i akuzuari Ajdar Jashari nuk përmendet fare në përshkrim faktik se çfarë veprime inkriminuese ka.
Rrjedhimisht, Apeli gjen se forma e ndihmës nuk është përshkruar drejt dhe saktë, por meqenëse tre të akuzuarit e parë nuk kanë përmbushur elementet e veprës penale për të cilën janë gjykuar, edhe elementi i ndihmës nuk përmbushet për këtë vepër.
Mirëpo, Apeli konsideron se ka veprime inkriminuese nga të akuzuarit — sepse nga komunikimet e bëra mes tyre shihet se kanë qenë të përfshirë në aktivitet të kundërligjshëm, mirëpo që Gjykata nuk mundet të krijojë një akuzë të re, nëse Prokuroria nuk akuzon.
“Gjykata mund të bëjë rikualifikim të ndonjë vepre penale në kuadër të veprës për të cilën akuzohen të akuzuarit, mund të nxjerrë ndonjë provë për të vërtetuar drejt gjendjen faktike, por nuk mund të ndërtojë përshkrim faktik dhe vepër të re penale për të cilën Prokuroria nuk akuzon. Për këtë arsye, duke pasur parasysh se nuk kemi aktakuzë për ndonjë vepër penale që elementet e saj përmbushen me veprimet inkriminuese të akuzuarve, Gjykata e Apelit ka liruar të akuzuarit për veprat për të cilat janë shpallur fajtor për të cilat nuk janë përmbushur elementet me veprimet e të akuzuarve”, thuhet në vendim.
Kurse, sa i përket sendeve të konfiskuara me aktgjykimin e ankimuar, Kolegji i Apelit gjen se këto sende duhet t’iu kthehen të akuzuarve, meqenëse të njëjtit janë liruar nga akuza dhe tanimë nuk ka arsye për konfiskimin e tyre — përveç dy vulave të falsifikuara të konfiskuara nga i akuzuari Shaip Ferizi, të cilat nuk mund të jenë në qarkullim juridik.