Apeli ia zbut dënimin të akuzuarit për vrasjen e gruas më 1995 në Gjermani, e dënon me 4 vjet burgim

Gjykata Apelit ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, duke e dënuar me katër vite burgim Zenel Hajrizajn, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij S.H., në Gjermani në vitin 1995.

Vendimi i Apelit i 13 majit 2025 është marrë nga kolegji i gjyqtarëve, me kryetare gjykatësen Valbona Musliu-Selimaj, gjykatës referuar Hashim Çollaku dhe anëtar Xhevdet Abazi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata Themelore në Mitrovicë, në rigjykim më 17 janar 2025, Hajrizajn e kishte dënuar me 5 vite burgim.

Ndaj këtij vendimi, ankesë ka ushtruar Prokuroria Themelore në Mitrovicë për shkak të vendimit mbi dënimin, duke propozuar që ankesa të aprovohet si e bazuar, ashtu që aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet dhe të akuzuarit t’i shqiptohet dënim me burg efektiv me kohëzgjatje më të lartë.

Ankesë ka parashtruar edhe mbrojtësi i Hajrizajt, avokati Mahmut Halimi, për shkak të shkeljes së Ligjit Penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe vendimit lidhur me dënimin, duke kërkuar që klientit të tij t’i shqiptohet dënim më i butë.

Ndërkaq, Prokuroria e Apelit me parashtresën e datës 7 mars 2025 ka propozuar që ankesa e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë të aprovohet si e bazuar, ndërkaq ankesa e avokatit Halimi të refuzohet si e pabazuar.

Për këto pretendime ankimore, Gjykata e Apelit ka caktuar seancën e kolegjit më 16 prill 2025, e që pas mbajtjes së saj ka marrë vendim që të ndryshohet vendimi i Themelores dhe Hajrizajt t’i shqiptohet dënim prej 4 vitesh burgim.

Apeli vlerëson se shkalla e parë në mënyrë të drejtë dhe të plotë ka vlerësuar të gjitha dëshmitë: provat materiale dhe personale, duke vlerësuar se në veprimet e të akuzuarit janë formuar elementet qenësore të “Vrasjes”.

Aty thuhet se gjendja faktike është vërtetuar në mënyrë të plotë dhe të qartë, dhe se drejt është vendosur pasi i akuzuari u shpall fajtor dhe u dënua ngase në veprimet e tij është konstatuar përgjegjësia esencialisht e zvogëluar.

Sipas Apelit, Themelorja në Mitrovicë ka shkelur parimin reformatio in pejus, pasi që këtë rast Apelit e kishte kthyer në rivendosje me vendimin e datës 6 prill 2018 pas mbajtjes së seancës kolegjit, ku paraprakisht Themelorja më 22 janar 2007 e kishte dënuar me 4 vite e gjashtë muaj burgim.

Andaj, sipas Apelit, në rastin konkret është shkelur ky parim pasi që pas kthimit në rigjykim, shkalla e parë e ka dënuar me 5 vite burgim, duke tejkaluar lartësinë e dënimit që e kishte shqiptuar më parë prej 4 vite e gjashtë muaj.

Apeli thekson se ka vlerësuar rrethanat lehtësuese: që i akuzuari e ka kryer veprën duke mos dashur të ndërmarrë një veprim të tillë, koha e kaluar prej më shumë se 29 vitesh kur ka ndodhur rasti, mosha e shtyrë e të akuzuarit Hajrazajt (tani 73-vjeçar), si dhe që më parë nuk ka qenë i dënuar për ndonjë vepër penale.

Kurse, rrethanë rënduese është vlerësuar mënyra e kryerjes së veprës penale dhe shkalla e intensitetit të kryerjes së saj.

Sipas vendimit, thuhet se Apeli në ankesën e Prokurorisë nuk ka gjetur rrethana posaçërisht rënduese. As në ankesën e avokatit, nuk ka gjetur rrethanë që i akuzuari të lirohet nga akuza.

“Kolegji ka vlerësuar ankesën e prokurorisë, nga e cila nuk ka gjetur ndonjë rrethanë posaçërisht rënduese, sikurse nuk ka gjetur edhe nga ankesa e mbrojtësit së të akuzuarit ndonjë rrethanë që i akuzuari të lirohet nga akuza, sikurse ka pretenduar mbrojtësi i të akuzuarit, andaj është i bindur se me dënimin e shqiptuar sikurse në dispozitiv të aktgjykimit, do të arrihet efekti dhe qëllimi i dënimit që të parandaloj kryesit nga kryerja e veprave penale në të ardhmen dhe të bëjë rehabilitimin e tij, dhe të përmbajë personat e tjerë nga kryerja e veprave penale të paraparë në nenin 34 të KPPK”, thuhet në këtë vendim.

Kujtojmë se në gjykimin e parë, Zenel Hajrizaj ishte dënuar me 4 vjet e gjysmë burgim më 22 janar 2007 nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, por Apeli e kishte anuluar vendimin. Ndërsa, në gjykimin e dytë Themelorja e dënoi me 5 vjet burgim.

Ndryshe, më 2005-2006, shteti gjerman përmes Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, ka kërkuar që ky rast të gjykohet nga autoritetet kosovare, pasi i akuzuari ka qenë me shtetësi të Kosovës.

Ndërsa, më 2 mars 2007, Hajziraj është arrestuar nga autoritetet kosovare, ku më pas i është caktuar masa e paraburgimit.

Ky rast është gjykuar në vitin 2007-2008 nga ish-Gjykata Komunale e Mitrovicës, me ç’rast i akuzuari më 26 dhjetor 2007, kishte paguar dorëzaninë në shumë prej 25.000 euro dhe ishte liruar nga paraburgimi. Mirëpo, për shkak të pezullimit të punës së Gjykatës së Mitrovicës në vitin 2008 pas pavarësisë, ky gjykim ishte ndërprerë dhe kishte filluar rishtazi në shtator të vitit të kaluar.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Publike të Qarkut në Mitrovicë të ngritur më 31 gusht 2007, Zenel Hajrizaj akuzohet se më 26 korrik 1995, rreth orës 09:00, në Mainburg të Gjermanisë, me dashje ka privuar nga jeta, tani të ndjerën- bashkëshorten e tij S.H.

Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur pas një konflikti në lidhje me jetën private të të dëmtuarës, e cila atë ditë kishte dalë nga shtëpia, ndërsa i akuzuari e lut që të kthehet në shtëpi te fëmijët, por nuk arrin ta bind.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri me armë zjarri shkrep katër herë në të, duke i shkaktuar plagë në gjoks, nga të cilat plagë ajo vdes menjëherë, ndërsa i akuzuari, pas kryerjes së veprës largohet nga vendi i ngjarjes.

Me këtë veprim, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje” nga neni 146 i Kodit Penal. Po ashtu, akuzohet edhe për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve”, nga neni 328, paragrafi 2 të Kodit Penal.