Apeli ia ul dënimin Pjetër Shalës nga 18 në 13 vjet burgim

Paneli i Apelit në Gjykatën Speciale ka rrëzuar shumicën e pikave të ankesës së Pjetër Shalës, por ka gjetur shkelje në aktgjykimin e Themelores. Ai ia ka ulur Shalës dënimin nga 18 në 13 vjet burgim.

Aktgjykimi u shpall nga kryetarja e trupit gjykues, Michele Picard, dhe gjyqtarët Kai Ambos dhe Nina Jorgensen.

“Ai u shpall fajtor për krime të luftës: Ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe i pafajshëm për krimin e luftës të trajtimit mizor. Trupi gjykues e dënoi zotin Shala me dënim të njehësuar prej 18 vitesh burgim”, tha Ambos.

Ky është aktgjykimi në shkallën e dytë ndaj të pandehurit, pas ankesës ndaj vendimit të Gjykatës Themelore e cila e dënoi me 18 vjet burgim për krime lufte.

Pjetër Shala më 16 korrik u dënua me 18 vjet burg, si pasojë e aktakuzës me krime lufte kundër së paku 18 personave në periudhën mes 17 majit 1999 deri më 5 qershor të atij viti në Fabrikën e Metalit në Kukës, torturë si krim lufte kundër së paku 18 personave dhe vrasje e paligjshme si krim lufte kundër një personi.

Për rastin e Shalës ishin mbajtur dy seanca të apelit, më 15 dhe 16 maj të këtij viti. Mbrojtja kishte kërkuar lirimin e Shalës ose rikthimin e çështjes në rigjykim ndërsa Prokuroria ka thënë se trupi gjykues në këtë rast ka vendosur drejtë./rtk

The post Apeli ia ul dënimin Pjetër Shalës nga 18 në 13 vjet burgim appeared first on Kosovapost.net.