Gjykata e Apelit e ka anuluar aktvendimin me të cilin është refuzuar masa e paraburgimit ndaj 3 të dyshuarve për shpërlarjen e një milion eurove dhe e ka kthyer çështjen në rivendosje.
Apeli ka marrë vendim të premten duke vendosur që ta pranojë si të bazuar ankesën e Prokurorisë Speciale.
Sipas arsyetimit të Apelit, aktvendimi i ankimuar është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkelje që ndërlidhet me zbatimin e gabuar të dispozitës materiale, për shkak se gjykata e shkallës së parë, me rastin e refuzimit të kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit, nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme se si ka ardhur në përfundim lidhur me mos ekzistimin e dyshimit të bazuar. Po ashtu, arsyetimi i aktvendimit të ankimuar rezulton të jetë i përgjithësuar, i paqartë dhe në disa pjesë edhe kontradiktor.
Kolegji i Apelit ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme mbi bazën e të cilave ka arritur në përfundimin se nuk ekziston dyshim i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale Shpërlarja e parave dhe nuk ka bazë për caktimin e masës së paraburgimit kundër tyre, për shkak se nuk ka bërë një vlerësim të plotë të materialeve që gjenden në shkresat e lëndës në raport me elementet e veprës penale për të cilën dyshohen, andaj Gjykata e Apelit e ka anuluar aktvendimin e ankimuar sepse i njëjti nuk mund të qëndrojë juridikisht si i tillë.
Gjykata Themelore në Prishtinë kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale dhe i kishte lënë të mbrohen në liri të pandehurit E.A., A.K. dhe A.L., të cilët dyshoheshin për veprën penale Shpërlarja e parave nga neni 302, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, lidhur me nenin 56 par.1 pika 1.1 të ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimit e Financimit të Terrorizmit.
E.A, A.K dhe A.L ishin kapur me 1 milion euro të fshehura poshtë një furgoni në pikë-kalimin në Merdar.










