Në Dhomat e Specializuara të Kosovës janë anuluar seancat e planifikuar për javën e ardhshme në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Seancat e datës 27, 28, 29 dhe 30 tetor 2025 nuk do të mbahen dhe gjykimi pritet të vazhdojë më 3 nëntor 2025, raporton “Betimi për Drejtësi”, transmeton Periskopi.
Ndërsa, janë shtuar seanca shtesë për javën që fillon më 17 nëntor për të vazhduar më pas deri më 11 dhjetor 2025, sipas kalendarit të Gjykatës.
Ndryshe, mbrojtja e Hashim Thaçit e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq ka njoftuar se nuk do të mbështetet në dëshminë e tre dëshmitarëve të saj në rastin në të cilin Thaçit akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Dëshmitë në të cilat nuk do të mbështetet mbrojtja e Thaçit janë ato të dëshmitarëve 1DW-002, 1DW-010 dhe W04174.
Veç kësaj, mbrojtja tha se miratimi i autorizimit për dëshmitarin 1DW-007 është vonuar, me arsyetimin e mbylljes së përkohshme të Qeverisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Megjithatë, mbrojtja ka parashtruar në parashtrimin e 10 tetorit 2025 se pret miratimin për këtë dëshmitarë dhe se ky do të jetë dëshmitari i fundit i thirrur nga mbrojtja.
Mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.
Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John Stewart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.
Kurse, më 30 shtator nisi dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner. Covey e përfundoi dëshminë më 2 tetor.
Më 14 shtator 2025, në Hagë u mbajt një protestë masive në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, ku morën pjesë qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare e mërgimtarë të shumtë.