Anulimi i konkursit për prokurorë, denoncohet rasti në BE dhe kandidatët pritet ta kallëzojnë penalisht KPK-në

Anulimi i papritur i procesit të rekrutimit të prokurorëve nga Këshilli Prokurorial i Kosovës ka shkaktuar paknaqësi te kandidatët pjesëmarrës, duke i bërë të marrin veprime rreth këtij rasti.

Sipas burimeve të Insajderit disa nga kandidatët pjesëmarrës në këtë proces, të cilët e konsiderojnë veten të dëmtuar, kanë njoftuar institucionet e Bashkimit Evropian për anulimin e konkursit dhe mungesën e transparencës nga KPK.

Sipas të njëjtave burime, rasti është raportuar në zyrat përkatëse të BE-së, të cilat janë informuar për mbarëvajtjen e procesit dhe mënyrën se si ai është ndërprerë.

Poashtu Insajderi merr vesh se një grup kandidatësh, të cilët tashmë e konsiderojnë veten të dëmtuar, planifikojnë që si grup të bëjnë kallëzim penal ndaj Këshillit Prokurorial të Kosovës. Përveç kësaj, ata po presin edhe vendimin me arsyetim, në mënyrë që të ngrenë padi në gjykatën kompetente.

Ky reagim vjen pasi në mbledhjen e saj të 280-të, KPK vendosi të anulojë procesin e rekrutimit të prokurorëve të rinj. Arsyeja e këtij anulimi nuk është bërë e ditur, pasi diskutimi për këtë pikë është zhvilluar me dyer të mbyllura.

Në njoftimin publik, KPK bëri të ditur gjithashtu se ka shqyrtuar ankesën disiplinore AD.nr.10/2025, duke vendosur që çështja t’i kalojë Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve për procedura të mëtejme, në përputhje me rregullat disiplinore dhe standardet profesionale.