Ansu Fati prezantohet te Monaco: Ndjehem mirë, dua t’ia bëj jetën të vështirë PSG-së

“Të zhvillohesha te Brighton ishte një përvojë pozitive, edhe pse disa mund të mendojnë ndryshe. Për fat të keq kam qenë i dëmtuar, prandaj nuk munda të kisha vazhdimësinë që dëshiroja. Do të doja ta rigjeja vazhdimësinë këtu te Monaco, duke u përpjekur të jem në gjendjen më të mirë të mundshme.

Nuk mund të kontrolloj gjithçka që ndodh në trupin tim, por përpiqem gjithsesi të minimizoj rreziqet. Do të jap maksimumin dhe luftoj për t’u rikthyer në nivelin tim më të mirë”. Kështu u shpreh Ansu Fati, në ditën e prezantimit të tij te Monaco, në lidhje me përvojën e fundit jashtë Barcelonës, nga e cila u largua në formë huazimi 1-vjeçar.

Sa iu përket pritshmërive të trajnerit, Adi Hutter, për të, spanjolli 22-vjeçar u përgjigj: “Kam pasur një bisedë me trajnerin, por siç thuhet, çfarë diskutohet në dhomat e zhveshjes mbetet atje (qesh). Do të jem gjithsesi në dispozicion të tij dhe do të bëj më të mirën për ta ndihmuar skuadrën. Nga ana personale ndihem shumë mirë fizikisht, mund të luaj”.

Për sa i përket rivalitetit të ardhshëm me PSG-në, për t’i sfiduar kryeqytetasit për fronin e Ligue 1: “PSG është një skuadër e mirë, këtë e dimë të gjithë. Sapo ka fituar Ligën e Kampionëve. Ne jemi këtu për t’ua bërë jetën sa më të vështirë atyre, ky është qëllimi ynë.

Kam miq dhe njerëz që i respektoj shumë në atë skuadër, si Luis Enrique, që më dha mundësinë të debutoj me kombëtaren dhe për këtë i jam mirënjohës. Njoh edhe Ousmane Dembélé, me të cilin kam kaluar momente të bukura te Barça. Iu uroj më të mirën, përveçse kur luajnë kundër nesh (qesh)”.

The post Ansu Fati prezantohet te Monaco: Ndjehem mirë, dua t’ia bëj jetën të vështirë PSG-së appeared first on Telesport.