Ankesë ndaj Kryetarit të KRPP-së për gjuhë jozyrtare dhe fyese- Këshilli refuzon kërkesën për procedurë disiplinore

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK) ka refuzuar një ankesë të dorëzuar kundër Kryetarit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), për të cilin ishte pretenduar se kishte përdorur gjuhë jozyrtare dhe tone fyese në komunikim me një vartës, shkruan Demokracia.com.

Sipas vendimit me numër A.nr.1249/2025, të datës 11 gusht 2025, Kolegji për Shqyrtimin dhe Vendosjen e Ankesave, i përbërë nga Malsore Gashi-Bajraktari (kryetare), Ardita Haxhnikaj Demi dhe Eshref Shabani (anëtarë), ka shqyrtuar ankesën e një zyrtari të KRPP-së, i identifikuar me inicialet Sh.N., i cili ushtron funksionin e Drejtorit të Departamentit për Sistemin e Prokurimit Elektronik brenda këtij institucioni.

Në ankesën e tij të datës 30 qershor 2025, zyrtari kishte kërkuar nga Këshilli që të iniciojë procedurë disiplinore ndaj kryetarit të KRPP-së, me arsyetimin se ai kishte “treguar sjellje që bien ndesh me detyrat zyrtare dhe parimet e shërbimit civil”. Konkretisht, ankuesi pretendonte se më 26 qershor 2025, përmes një emaili zyrtar, kryetari i institucionit kishte refuzuar komunikimin dhe bashkëpunimin profesional me të, duke përdorur “tone kërcënuese dhe gjuhë jozyrtare”.

Pas administrimit të gjithë dokumentacionit, përfshirë kopjet e komunikimeve elektronike ndërmjet palëve, kërkesat për përgjigje dhe dokumentet e brendshme të KRPP-së, Kolegji i Këshillit konstatoi se ankesa është e pabazuar.

Në arsyetimin e vendimit, Këshilli sqaron se, sipas nenit 3 të Ligjit Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë, ky ligj nuk zbatohet për funksionarët publikë të emëruar nga Kuvendi, përfshirë titullarët e institucioneve të pavarura. Meqë Kryetari i KRPP-së emërohet nga Kuvendi i Kosovës me propozim të Qeverisë, ai nuk ka statusin e nëpunësit civil dhe, për rrjedhojë, nuk bie në fushëveprimin e KPMSHCK-së.

“Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës nuk ka mandat ligjor që të iniciojë procedurë disiplinore ndaj Kryetarit të KRPP-së”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga kryetarja e kolegjit, Malsore Gashi-Bajraktari.

Këshilli, megjithatë, ka theksuar se ankuesi ka të drejtë t’i drejtohet organit mbikëqyrës të Kryetarit të KRPP-së apo organeve të tjera kompetente sipas legjislacionit në fuqi, nëse vlerëson se janë shkelur parimet etike apo administrative në ushtrimin e detyrës.

Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) është institucion i pavarur që mbikëqyr proceset e prokurimit publik në të gjitha nivelet e qeverisjes në Kosovë, përfshirë komunat, ministritë dhe ndërmarrjet publike. Roli i tij është të sigurojë zbatimin e ligjit, transparencën dhe konkurrencën e drejtë në tenderët publikë, që përfshijnë dhjetëra milionë euro në vit.

Pikërisht për shkak të këtij funksioni të ndjeshëm, sjellja e udhëheqësve të KRPP-së, si dhe mënyra se si menaxhohen marrëdhëniet e brendshme në institucion, kanë rëndësi të veçantë për integritetin dhe besueshmërinë e këtij organi.

Por, në këtë rast, pavarësisht se Këshilli nuk hyri në vlerësimin e përmbajtjes së komunikimit mes palëve, ai konstatoi mungesë kompetence ligjore për të marrë masa disiplinore ndaj titullarit të institucionit, duke ia lënë çështjen në dorë organeve të tjera mbikëqyrëse apo Kuvendit të Kosovës. /Demokracia.com/