Ankesa e VV-së, Gjykata Supreme ka 5 ditë për ta shqyrtuar

Lëvizja Vetëvendosje sot shfrytëzoi në fund të afatit kohor të drejtën e saj për të dërguar një ankesë në Gjykatën Supreme, të cilën ia hodhi poshtë Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa të mërkurën lidhur me pretendimet për manipulim të votave të ardhura me postë nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Tashmë Gjykata Supreme ka pesë ditë afat për të shqyrtuar dhe për të vendosur mbi këtë ankesë për t’i hapur më pas rrugën certifikimit të rezultateve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi më 15 mars rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit në mes të kritikave për vonesa. Pas kësaj, partitë politike patën të drejtë të ankohen brenda 48 orëve.

Katër ankesa i shkuan Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i cili i ka refuzuar të mërkurën që të katërta si të pabazuara.

Prej katër ankesave, dy i kishte dorëzuar Lëvizja Vetëvendosje, një Partia Demokratike e Kosovës dhe një  Partia Demokratike e Ashkalinjve të Kosovës dhe Lëvizjes për Bashkëveprim (PDAK-LPB).

Vetëvendosje u ankua për LDK-në se ka manipuluar votat e ardhura me postë dhe ka kërkuar anulimin e tyre, përsëritjen e votimit dhe largimin nga lista të kandidatëve të LDK-së që, sipas saj, kanë marrë vota jonatyrshëm, transmeton express.

Meqë PZAP ia hodhi poshtë, Vetëvendosje provoi që të provojë edhe në Gjykatën Supreme, e cila brenda pesë ditëve duhet të marrë vendim.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! duke qenë e bindur dhe duke e dëshmuar me fakte e prova të pakontestueshme skemën kriminale të manipulimit me vota përmes postës, sot brenda afatit ligjor ka dorëzuar në Gjykatën Supreme ankesën e saj në lidhje me këtë proces.  Lëvizja VETËVENDOSJE! edhe njëherë kërkon anulimin e 18.933 votave të LDK-së të ardhura në mënyrë të manipuluar, rivotimin me postë dhe largimin nga lista të kandidatëve që kanë marrë vota në mënyrë të pakrahasueshme më shumë përmes votimit me postë sesa në vendvotime në Kosovë dhe moszëvendësimin e tyre me anëtarë të tjerë të LDK-së”, u tha në ankesën e kësaj partie.

Nga ana tjetër, LDK ka thënë se këto janë “përpjekje të Lëvizjes Vetëvendosje për të manipuluar dhe delegjitimuar procesin zgjedhor ishin të pabazuara dhe shpërfaqin mosgatishmërinë e tyre për të pranuar vullnetin e mërgatës sonë”.

“Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të tolerojë që Vetëvendosje të vazhdojë të përdorë shpifjet dhe manipulimet për të përmbysur vullnetin e qytetarëve dhe për të krijuar një realitet të rremë zgjedhor”.

Eugen Cakolli nga KDI tha se me këtë dinamikë rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit mund të certifikohen në mes të javës së ardhshme.

“Gjykata Supreme ka 5 ditë afat për të shqyrtuar dhe vendosur mbi këto ankesa. Duke ndjekur dinamikën e deritanishme, nëse paraqiten ankesa në Supreme – me supozimin se as ajo nuk do të dalë përtej argumentimit të PZAP-së – rezultatet do të mund të certifikohen më së largu në mes të javës së ardhshme”, kishte shkruar ai të mërkurën.

Sipas rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të sivjetme, LVV-ja i ka siguruar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK siguroi 24 vende, LDK, 20 vende, Lista Serbe nëntë vende dhe koalicioni AAK-Nisma, tetë vende.

Brenda 30 ditëve të certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duhet të thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës për të vazhduar më pas me procedurat e tjera të ndërtimit të institucioneve.