Ankesa e Listës Serbe për konstituimin e Kuvendit, a do të vendosë Kushtetuesja masë të përkohshme?

Gjykata Kushtetuese mund të vendosë masë të përkohshme për rrjedhjen e afatit për formimin e qeverisë së re, thotë avokati Ardian Bajraktari. Sipas tij, Kushtetuesja mund të marrë një vendim të tillë në ditët në vijim, pas ankesës së serishme të Listës Serbe për zgjedhjen e Nenad Rashiq nënkryetar i Kuvendit. Bajraktari deklaron se ankesa e Listës Serbe është brenda afatit kushtetues dhe se procedura e zgjedhjes së Rashiq është e kontestueshme.

Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar për KosovaPress të enjten se kanë pranuar ankesën e Listës Serbe. Deputetët e Listës Serbe po pretendojnë se me zgjedhjen e Nenad Rashiq si nënkryetar nga komuniteti serb janë shkelur Kushtetuta, Rregullorja e Punës së Kuvendit, dhe një aktgjykim i mëparshëm i Kushtetueses.

Kuvendi i ri i Kosovës u konstituua më 10 tetor, me zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar. Zgjedhja e tij u bë pasi të nëntë deputetët e Listës Serbe, ndonëse u hodhën nga tri herë në votim, nuk morën votat e nevojshme.

Një ditë pas zgjedhjes së Rashiq, presidentja Vjosa Osmani, ka mandatuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti për formimin e qeverisë së re.

Avokati Bajraktari thotë se pret që Kushtetuesja të vendosë masë të përkohshme, pasi, siç shton ai, ekzistojnë rrethanat për një gjë të tillë, nëse i referohen arsyetimit të vendimit të këtij institucioni për masë të përkohshme në muajin shtator.

Sipas tij, një veprim i tillë do të bënte që të ndalohet rrjedha e afatit sa i përket çështjes së mandatarit për formimin e qeverisë së re.

Gjykata Kushtetuese kishte trajtuar ankesën e dorëzuar më herët nga Lista Serbe lidhur me çështjen e nënkryetarëve, pasi kreu i Kuvendit Dimal Basha e kishte shpallur të konstituuar Kuvendin pa zgjedhjen e nënkryetarit të pestë nga radhët e komunitetit serb.

Më pas, Gjykata konstatoi se Kuvendi nuk ishte i konstituuar, duke kërkuar që deputetët të zgjidhnin nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, me qëllim që të hapej rruga për formimin e Qeverisë.

Avokati Bajraktari deklaron se zgjedhja e Rashiq si nënkryetar i Kuvendit është e kontestueshme, derisa ai nuk ka qenë propozim i shumicës së deputetëve që i përkasin komunitetit serb.

Sipas tij, deputetët e Listës Serbe iu kanë drejtuar Kushtetueses brenda afatit kushtetues, derisa i bëri thirrje Gjykatës Kushtetuese që ta trajtojë këtë rast në afatin më të afërt optimal.

Në aktgjykimin e tretë, Gjykata Kushtetuese kishte theksuar se Kuvendit të Kosovës i kanë mbetur edhe dymbëdhjetë ditë kohë për konstituimin e Kuvendit, nga tridhjetë ditshi i paraparë më herët.

Sipas avokatit Bajraktari, nëse Kushtetuesja sërish e konsideron Kuvendin të pa konstituuar, deputetëve do t’u mbeten edhe dhjetë ditë kohë, pasi seanca e 10 tetorit ishte thirrur dy ditë pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Kushtetueses.

Kosova nuk ka formuar qeverinë e re edhe mbi tetë muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Ndërkaq, seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës kishte nisur më 15 prill, derisa u konstatua nga kryetari i zgjedhur Dimal Basha, i përmbyllur më 10 tetor.