Të enjten, Lista Serbe ka dorëzuar edhe njëherë një ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, duke pretenduar se janë shkelur Kushtetuta, Rregullorja e Punës së Kuvendit si dhe një aktgjykim i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese.
Ndërkohë, avokati Valdet Hoxha ka vlerësuar se nuk mund të ketë as shkelje kushtetuese dhe as masë të përkohshme në këtë rast, pasi sipas tij, me seancën e fundit të Kuvendit është ezauruar hapësira juridike që ka ekzistuar.
Ai ka shtuar se nuk pret që të merret ndonjë masë e përkohshme që do të ndalonte apo pengonte funksionimin e Kuvendit të Kosovës.
“Unë vlerësoj se nuk mund të ketë shkelje të Kushtetutës në zgjedhjen e Rashiqit si nënkryetar i pestë i Kuvendit të Kosovës, kjo edhe në bazë të ekspertizës dhe qëndrimit të partive politike që e kanë votuar. Natyrisht, askujt nuk mund t’i mohohet e drejta për ta kontestuar këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese, siç edhe ka ndodhur. Por unë nuk pres ndonjë masë të përkohshme që do të ndalonte procedurat e mëtejme. Duke e analizuar situatën, ku Lista Serbe në fillim propozoi anëtarët e saj dhe pastaj, përkundër thirrjeve që të vazhdonte me propozime, nuk e shfrytëzoi të drejtën e saj dhe më pas Rashiq u zgjodh me 71 vota, unë besoj se është ezauruar ajo zbrazëti juridike që ekzistonte. Nuk mund të thuhet se Listës Serbe iu mohua e drejta për të propozuar kandidatë nga radhët e saj, apo që deputetëve të tjerë iu kufizua kjo mundësi”, ka thënë ai në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Hoxha ka theksuar gjithashtu se me aktgjykimin e fundit, Gjykata Kushtetuese i ka hequr mundësinë çdo komuniteti për të bllokuar punën e Kuvendit.
“Gjykata Kushtetuese, me aktgjykimin e fundit, ka larguar mundësinë e bllokimit të Kuvendit nga cilido komunitet. Po të mos e kishim këtë aktgjykim, ndoshta do të interpretohej se Lista Serbe nuk propozoi kandidatë dhe se duhet të presim propozimin e saj. Në këtë mënyrë, do të krijohej një veto bllokuese. Pikërisht për këtë arsye, aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese është i rëndësishëm dhe i vlefshëm”, ka deklaruar Hoxha.
Ndryshe, Kuvendi i ri i Kosovës u konstituua më 10 tetor, me zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar nga radhët e komunitetit serb. Zgjedhja e tij u bë pasi të nëntë deputetët e Listës Serbe, ndonëse u hodhën nga tri herë në votim, nuk morën votat e nevojshme.