Anije të sanksionuara fikin sinjalet dhe përdorin identitete të rreme pas kapjes së Nicolás Maduros.
Të paktën 16 tankerë nafte të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara kanë tentuar të shmangin bllokadën detare amerikane ndaj eksporteve energjetike të Venezuelës, duke u larguar nga portet e vendit gjatë dy ditëve të fundit, raporton The New York Times.
Sipas analizës së gazetës amerikane, për javë të tëra anijet ishin identifikuar përmes imazheve satelitore të ankoruara në porte venezuelase.
Por deri të shtunën, pas kapjes së presidentit Nicolás Maduro nga forcat amerikane, të gjitha ishin zhdukur nga këto lokacione.
Katër prej tyre janë gjurmuar duke lundruar rreth 30 milje në lindje të bregdetit, duke përdorur emra të rremë dhe duke falsifikuar pozicionin e tyre – një praktikë e njohur si “spoofing”.
Sipas komunikimeve të brendshme të kompanisë shtetërore të naftës dhe burimeve nga industria venezuelase, këto anije janë larguar pa autorizimin e qeverisë së përkohshme, çka shihet si një akt i hershëm sfidimi ndaj kontrollit të presidentes së përkohshme, Delcy Rodríguez.
Ndërkohë, 12 tankerë të tjerë kanë fikur plotësisht sistemet e transmetimit dhe nuk janë lokalizuar në imazhet më të fundit satelitore.
Presidenti Donald Trump vendosi më 16 dhjetor një “bllokadë të plotë” ndaj tankerëve të sanksionuar të naftës venezuelase. Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, e përshkroi atë si një nga “karantinat më të mëdha” në historinë moderne, duke theksuar se ajo po paralizon aftësinë e regjimit për të gjeneruar të ardhura.
Bllokada përjashton eksportet e naftës që transportohen nga kompania amerikane Chevron drejt Bregut të Gjirit të SHBA-ve.










