Anija “Bella 1” po pretendon status rus ndërsa përpiqet t’i shmanget sekuestrimit në Atlantik.
Ekuipazhi i një tankeri nafte të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara ka pikturuar flamurin rus në anën e anijes, në një përpjekje të dukshme për të kërkuar mbrojtje nga Moska, ndërsa po ndiqej nga forcat amerikane.
Sipas raportimit të The New York Times, anija “Bella 1” u tentua të ndalohej më 21 dhjetor nga Rojet Bregdetare Amerikane në Karaibe, por refuzoi kontrollin dhe vijoi lundrimin.
Autoritetet amerikane thonë se anija është nën sanksione për transport nafte iraniane, të cilat dyshohet se përdoren për financimin e terrorizmit.
Zyrtarë amerikanë, që folën në kushte anonimiteti për NYT-në, thanë se “Bella 1” është pjesë e ashtuquajturës “flotë fantazmë”, e përfshirë në shmangien e sanksioneve ndaj Rusisë, Iranit dhe Venezuelës.
Anija ka fikur sistemin e identifikimit dhe ka ndryshuar kurs, ndërsa operacioni për ndalimin e saj vijon.










