Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian sot në Bruksel po diskuton mbi projekt-raportin vjetor për Serbinë, në të cilin shprehet shqetësim për krizën gjithnjë e më të thellë politike në këtë vend. Anëtarët e Komitetit kryesisht folën në mënyrë kritike për situatën në Serbi, duke e quajtur atë një shtet të kapur dhe duke vlerësuar se ka bërë hapa pas në rrugën drejt Bashkimit Evropian, transmeton Paparaci.
Deputeti i Partisë Popullore Evropiane (EPP), Davor Ivo Shtir, ka thënë se gjatë vitit të kaluar Serbia nuk u afrua më shumë me BE-në, por madje ka bërë hapa pas. Duke theksuar se fqinjët e konsiderojnë Serbinë një kërcënim për sigurinë, Shtir ka thënë se Serbia në çështjet e jashtme vazhdon të bashkëpunojë si me BE-në, ashtu edhe me Rusinë, Kinën dhe Shtetet e Bashkuara, por po zgjerohet bashkëpunimi ushtarak me Rusinë dhe Kinën.
Shtir në Parlamentin Evropian tha se varësia nga Rusia nuk do të ulet nëse Serbia lidhet me tubacionin e naftës “Druzhba” përmes Hungarisë.
Ai ka shtuar se Serbia është një shoqëri e polarizuar, ku anëtarësimi në BE është një çështje dytësore. Qeveria ende shpreh dëshirën për anëtarësim, por kjo nuk reflektohet në reformat.
Ai gjithashtu ka thënë se gjatë vizitës së delegacionit të AFET-it në Serbi u informua për përpjekjet e shtuar për të kapur institucionet dhe se ndryshimet e fundit në ligjet e drejtësisë janë një hap në atë drejtim.
Shtir ka thënë se opozita është e ndarë, edhe lidhur me anëtarësimin në BE, se studentët organizojnë protesta të mëdha, por pa flamurin evropian, dhe është konfirmuar se ata janë ideologjikisht të ndarë./Paparaci.com










