Andrea Stramaccioni nuk dëshiron të quhet hero, por faktet flasin ndryshe. Ish-trajneri i Interit dhe Udinese, sot komentator i njohur sportiv në TV, ka shpëtuar bashkë me një roje plazhi dy vajza që po rrezikonin të mbyteshin në ujërat e Puglias. Për këtë akt trimëror, Stramaccioni është nderuar nga roja bregdetare italiane me bluzën e kuqe të rojeve të plazhit.
Ngjarja ndodhi më 28 korrik, ndërsa Stramaccioni ndodhej me familjen për pushime në zonën mes Peschici dhe Vieste. Gjatë një dite të zakonshme në plazh, ai pa turma njerëzish që grumbulloheshin në breg dhe një roje që vepronte në panik, ndërsa dy vajza kërkonin ndihmë duke bërtitur.
“U ngrita menjëherë dhe shkova drejt ujit. Kuptova që roja nuk do t’ia dilte i vetëm, – tregon Stramaccioni për “Gazzetta dello Sport”. – I thashë të qëndronte i qetë, gjithçka do të mbaronte për pesë minuta”.
Pa u menduar gjatë, Stramaccioni u hodh në det. Roja i tregoi të drejtohej te vajza më e madhe, e cila po luftonte me dallgët: “Ishte e frikësuar. I thashë të qëndronte shtrirë mbi shpinë dhe se do të mbaronte gjithçka shpejt. Dhe ashtu ndodhi.
Pastaj u ktheva për të parë ku ishte roja me vajzën tjetër. Ishte në gjendje shoku, mezi qëndronte në ujë dhe kishte pirë shumë ujë. Ishim pranë shkëmbinjve, situata po bëhej e rrezikshme. Ajo më tërhiqte poshtë, mendonte se po vdiste”.
Në një përpjekje të fundit, Stramaccioni i kërkoi vajzës ta dëgjonte dhe t’i besonte: “E kapa dhe e shtyva drejt një përroi të vogël midis shkëmbinjve, por unë përfundova duke u përplasur vetë me shkëmbinjtë, duke u lënduar në krahë dhe këmbë.
Kur mbërritëm në breg, më në fund mësova se ajo ishte jashtë rrezikut. Djali im më pyeti: Babi, pse e bëre? Po të kishe vdekur? I thashë tim biri: E bëra nga ndjesia e mbrojtjes. Jeta është e shenjtë, nuk duhet të jemi të pamend”. Të dyja vajzat, të cilat janë nga Trentino Alto Adige, tani ndihen mirë dhe janë kthyer në shtëpi.
The post Andrea Stramaccioni bën aktin heroik, hidhet në det dhe shpëton dy vajza që po mbyteshin appeared first on Telesport.