Duke folur për çështjen e zgjedhjes së presidentit dhe debatet nëse LVV është e gatshme të japë njërën nga tri pozitat kryesore të shtetit për tejkalimin e një bllokade të mundshme politike, Hoti ka theksuar se presidenca nuk duhet të shndërrohet në objekt pazari politik.
“Sa i përket çështjes së Presidentit, ajo nuk duhet të trajtohet si objekt marrëveshjesh apo pazari politik. Presidenti është institucion i pavarur, mbi interesat partiake, dhe çdo marrëveshje politike e ndërtuar mbi këtë funksion do ta minonte vetë rolin dhe kredibilitetin e Presidencës”, ka thënë ai.
Hoti ka paralajmëruar se çdo tentativë për bllokim institucional përmes kushtezimeve politike do të ishte e papranueshme dhe në kundërshtim me interesin publik.
“Nëse cilado parti politike tenton të shantazhojë proceset institucionale përmes posteve, verdikti përfundimtar mbetet gjithmonë te qytetari”, ka thënë ai, duke shtuar se “një qasje e tillë vetëm sa do të tregonte një mendësi të gabuar, sikur vullneti i qytetarëve nuk ka rëndësi dhe se vendimet merren përmes pazareve politike”./Front Online









