Xha Samiu i ka zët gazetarët, sidomos ata të NACIONALES. Qasja e tij as për kurtoazi nuk është ajo e një pensioneri babaxhan që duhet të jetë i përkorë në ato që thotë. Për të, lajmdhënësit e lajmkërkuesit janë qen, madje në një radhë me kriminelët e vrasësit me pagesë. Derisa kërkohen orë e ditë të tëra që pezmi i tij të fashitet, NACIONALE sjell një portret, gjithsesi të papërfunduar, të xha Samiut ndër vite. Derisa plisi e kapelja hiqet si shenjë respekti për vitet e sinqerta të angazhimit për çështjen shqiptare, kërkimi ynë na sjell edhe një xha Sami tjetër që nuk ishte gjithmonë kaq mujshar. Ndryshe nga shumica prej nesh, ai e pati mirë sidomos me PDK- në, prej të cilës shkëputi ndere si pak të tjerë. Megjithatë, xha Samiu sikur udhëhiqet nga kredoja latine “Quod licet Iovi, non licet bovi” (Ajo çfarë i lejohet Jupiterit, nuk i lejohet buallit).
Col Mehmeti
Gazetari është baraz me qenin, por edhe me kriminelin e vrasësin me pagesë.
Ky është pezmi me vrerë të zi që nxori goja frelëshuar e njeriut që për gati gjashtë vjet e gëzoi funksionin e Avokatit të Popullit.
Në një botë normale, ombudspersoni është hallka që iu jep zë e derman ankesave të qytetarëve përballë makinerisë së stërmadhe e burokratike të shtetit.
Mirëpo, Samiu nuk e ka këtë gajle dhe, tekembramja, lumi e marrtë të kaluarën e dikurshme si dalazotës për të drejtat e njeriut.
Pak muaj para se të mbushë moshën e pensionit, ai ndihet më i ngjallur e më potent kur, si përfaqësues i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, e bën të fortin e partisë në Qendrën e Numërimit të Votave.
“Jeni media kriminale të vrasësve me pagesë”, tha Samiu i mërdhezur e gjithë agjitim nervor.
Para fqinjve xha Samiu është burrë esnaf
Përtej figurës së tij si zevzek e grindavec, xha Samiu përpiqet të mbajë kompozurën e njeriut të qetë e esnaf.
Për fqinjët e tij në Taukbashçe, lagjen e bukur atje në skajin e qetë të kryeqytetit, ai është burri që përditë bën shëtitje në Gërmi i shoqëruar me qenin e tij qimebardhë.
Kurdo që hallku i kalon pranë, sytë e tij, paksa vjedhurazi, lëshohen mbi të tjerët në pritje të, së paku, një përshëndetje. Fundja, ai nuk është bash kurkushi dhe vite të tëra rragatjesh e azdisjesh duhet të çmohen prej dikujt, apo jo?
Sulmi është mbrojtja më e mirë
Samiu çubardh është asocimi i parë për arketipin-njeri të Vetëvendosjes që logorrenë e fyerjeve e ka më të rëndë se diarrenë e barkut.
Sikur t’i përmbahej me zell ushtari urdhrit të komandatit që “sulmi është mbrojtja më e mirë”, edhe ombudspersoni i njëherë-e-një-kohe e di që mbijetesa në një mjedis provincial më së miri sigurohet kur ti i pari e merr në nishan tjetrin me fyerje.
Kjo ka bërë që dalëngadalë të zbehet kujtesa për një përplasje këtu e gjashtë vjet më parë — ajo nuk ishte një cakërrim i zakonshëm, por një e tillë pas të cilës Samiu nuk qe më kurrë i njëjti.
Thaçi Kurteshit: “Të dua”
Ngjarja kishte qenë jokushedi sa e pazakontë.
Asokohe, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte ftuar para një Komisioni Hetimor të Kuvendit për të pleqëruar rastin e rrëmbimit të disa shtetasve turq, të shpallur si ‘gylenistë’ nga autoritetet turke.
Nuk ishte e thënë që të dilte gjë prej këtij zhbirimi parlamentar. Samiu, asohere si deputet i Vetëvendosjes, kishte shpërthyer në fyerje e diatriba ndaj kreut të Republikës.
Si gjithmonë, ky i fundit nuk e kishte prishur gjakun, madje kishte qeshur me zemër përballë tij. “Ti e di, unë të dua” dhe “sa i lezetshëm je”, i përgjigjej mes gajasjesh.
Zvarranik drejt Avokatit të Popullit
Dhe kur Samiu u bë edhe më gojëlëshuar, Thaçi hodhi edhe një shashkë që atypëraty e sprapsi kundërshtarin e hakërryer.
“Më je lutur si zvarranik në zyrë”, i tha Thaçi Kurteshit duke e kthyer kohën në vitin 2009 kur partia e asokohshme në pushtet, PDK, e kishte ndihmuar që të zgjidhej në krye të institucionit të Avokatit të Popullit.
E kjo nuk ishte vetëm një fjalë e thënë në hava sepse edhe Kurteshin e bënte hisedar, ose së paku partner, në një ‘krim’ jo të vogël.
Nëse Samiu i sapoardhur nga Zvicra kishte pasur krahun e fortë për t’u zgjedhur si Avokat i Popullit, atëherë ai ishte zhytur deri në fyt në një shkelje të paqtë të Kushtetutës.
Akti më i Epërm, me të cilin funksionon Kosova jonë e bekuar, në nenin e vet të 9-të e përcakton se as kryeministri e as presidenti nuk e emëron dot dikë në një pozitë të tillë, sepse këtë tagër e ka vetëm Kuvendi i Kosovës.
Xha Samiu e donte Kosovën e Thaçit
Sa kohë qëndroi te Avokati i Popullit, Samiu nuk pati asnjë fjalë të keqe as për Kosovën, e lëre më t’i binte në qafë Thaçit ose të tjerëve.
Në fjalimin e tij të mbajtur në verën e vitit 2010, në adresimin e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ai përshkroi Kosovën e Thaçit si kopsht të respektimit të të drejtave të njeriut.
“Se të drejtat dhe liritë themelore të njeriut në Republikën e Kosovës nuk janë vetëm fjalë kurtoazie, por paraqesin edhe bazën e rendit juridik të saj, këtë e dëshmojnë jo vetëm mishërimi normativ i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut duke i bërë ato norma kushtetuese, por edhe ngritja në kategori kushtetuese si dhe funksionalizimi ligjor dhe teknik i institucionit që garanton dhe atij që mbron të drejtat e njeriut – Gjykatës Kushtetuese, gjegjësisht Institucionit të Avokatit të Popullit”, kishte thënë ai me ton prej babaxhani.
Betim me dorën e djathtë para Thaçit
Megjithatë, edhe Samiu nuk është aso njeriu pa tavan, sidomos jo kur bëhet fjalë për t’u bërë pjesë e pozitave me rëndësi.
Me 6 shkurt të vitit 2020, ai qëndronte pip në këmbë me dorën e djathtë ngriturduke e bërë betimin para presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Prej tij e mori ‘shugurimin’ që të ishte pjesë e përbërjes së re të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
X-historia e xha Samiut
Historia e Samiut të Kurteshëve nuk është vetëm kjo e pas vitit 2015 kur ai u bë njëri nga njerëzit më të egër të Vetëvendosjes.
Fjalët e Thaçit për Samiun si ‘zvarranik’ gjejnë mbështetje të nduarnduartë sa më shumë kthehemi pas ndër vite.
Aman-zamani i Kurteshit për t’u bërë Avokat i Popullit nuk qe nderi i vetëm të cilin ia kishte kërkuar PDK-së.
Megjithëse gjithmonë zëlartë kundër ShIK-ut, ai vetë duket se kishte qenë pjesë e pezhishkave të tij.
“E di ti kur të kam refuzu me ardhë në parti kur je kanë anëtar i ShIK-ut”, i kishte thënë Thaçi në përplasjen tashmë të famshme.
Kur themelohej Partia Demokratike e Kosovës
Derisa tash e sa kohë është dije publike që edhe djali i tij ka përfituar ndere të tilla, ai çuditërisht kishte qëlluar të ishte pjesë e mbledhjes që e ngjizi Partinë Demokratike të Kosovës më 1999.
Kur kjo parti ishte në fazën embrionale si Partia e Progresit Demokratik, xha Samiu e kishte bërë përkthyesin për një profesor gjerman që fliste me fjalët më të zgjedhura për Thaçin.
Xha Samiu është mirë për nga kamja
Derisa i gjithë ky evokim historish është i zhveshur nga cilido paragjykim, Samiu ynë, për fat të mirë, gëzon një shëndet të mirë për nga mirëqenia ekonomike.
Sa kohë ishte deputet, ai qe një nga më të pasurit në partinë që ka krijuar imazhin e hyzmeqarës ndaj të varfërve. Nëse deklarimet janë të sakta, plëngu e pasuria e tij më 2021 mbërrinte në vlerë prej 1 milion e 500 mijë eurosh.
Në deklarimin e pasurisë në formular, pasuria e tij përbëhej nga një shtëpi e madhe në vlerë prej 1 milion eurosh dhe tri tokash në vlerë prej 500 mijë eurosh.
Xhevahirët e pasurisë së tij përfshinin edhe një bibliotekë, që xha Samiu e vlerësonte në vlerë prej 70 mijë eurosh, një veturë për veten e tij prej 7 mijë eurosh si dhe një tjetër për hanëmin e tij në vlerë prej 3 mijë eurosh.
Edhe kur mund të na duket që Samiu e ka pisk punën në KQZ, edhe kur e sforcon veten me praninë e tij toksike duke iu bërë punëtorëve të shkretë, kjo nuk duhet të jetë arsye për shqetësim.
Paga vjetore e tij nga ky institucion është 15 mijë e 995 euro.
Ta njohim xha Samiun me biografinë e tij zyrtare
Sipas jetëshkrimit të afishuar në faqen zyrtare të KQZ-së, xha Samiu u lind më 5 qershor të vitit 1960 në Gjilan.
Fillore e të mesme i kreu në vendlindje, kurse më 1978 mësyu Fakultetin Teknik, dhe degen jo të lehtë të Elektroteknikës.
Pas 1981-s, Samiu i ri u largua nga Kosova për t’u vendosur në Zvicrën e paqes dhe idilit ekonomik.
Në vjeshtën e 1983-s, ai u arrestua në Beograd prej të cilit u burgos gjer në dhjetor të 1990-s.
Në pjesën më të madhe të dekadës së fundit të shekullit të kaluar, ai u angazhua në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, kurse më 1996 ai e përfaqësoi këtë Këshill në Komitetin për Eliminimin e Diskriminimit Racial pranë OKB-së në Gjenevë.
Në vitin 1998, ai i filloi studimet në Universitetin e Bernes, të cilat i përfundon në atë të Cyrihut për politologji, sociologji dhe të drejtën ndërkombëtare.
Në periudhën prej 1997-2001 a punuar në institucione të ndryshme në Zvicër, si bashkëpunëtor i Organizatës Zvicerane për Refugjatë (Schweizerische Flüchtlingshilfe, SFH).
Gjatë viteve 1999-2005 ishte bashkëpunëtor dhe udhëheqës i kurseve të ndryshme profesionale për bashkëpunëtorët e Organizatës Zvicerane për të Drejtat e Njeriut dhe Refugjatë: HEKS, SAH dhe SRK.
Nga viti 2003 ishte ligjërues privat në Qendrën Zvicerane për Edukim të personelit të burgjeve në Zvicër (Schweizerische Ausbildungszentrum fuer das Strafvollzugspersonal – SAZ) në Friburg.