Koeficienti për paga në sektorin publik qëndron i njëjtë, por rritet njësia e koeficientit për “1”, përkatësisht me nga 0.5 në janar të vitit të ardhshëm, dhe 0.5 në korrik – ka njoftuar në konferencë për shtyp Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ndërkohë, Ligji Për Pagat në Sektorin Publik parasheh –ndalimin- e ndryshimit në strukturën, komponentët apo nivelet e koficientëve të pagave. A u shkel ligji?
Neni 42 i Ligjit Për Pagat në Sektorin Publik përcakton ndalesat në ndryshimet e lartëpërmendura.
“Me hyrjen në fuqi të këtij ligji ndalohet çdo ndryshim në strukturën, komponentët apo nivelet e koeficienteve të pagave.” – thuhet aty.
Pra, ndryshimi eventual në strukturë, komponentë apo nivele të koficientëve bëhet vetëm me ndryshimin e këtij ligji, ose amandamentimin e tij. Përkatësisht neni në fjalë, pra 42 duhet të ndryshohet në mënyrë që ngritja e pagave të mos bie në kundërshtim me këtë ligj.
Tjetër, në Ligjin Mbi Ndarjet Buxhetore Për Buxhetin Për Vitin 2024 në nenin 32 përcaktohet vlera e koficientit, pra që është 110 euro.
Nëse qeveria dhe shumica parlamentare pretentojnë që rritjen e premtuar sot, ta realizojnë duke e miratuar vetëm ligjin për buxhetin e vitit 2025, kjo qartazi është e kundërligjshme dhe lehtësisht mund të mbetet në nivel të një premtimi që mund ta marrë formën e normës ligjore por do të rezultojë i pazbatueshëm.
Aq më tepër, kur kihet parasysh edhe fakti se neni 42 i ligjit në fuqi për Pagat, ka përcaktuar shprehimisht ndalimin e çdo ndryshimi në strukturën, komponentët apo nivelet e koeficienteve të pagave, me akte të tjera ligjore ose nënligjore.
Prandaj, rritja e pagave pa u ndryshuar ligji për pagat, mund të bëhet vetëm duke e ndryshuar vlerën monetare të koeficientit përmes ligjit për buxhetin.
Çdo ndryshim tjetër kërkon edhe ndryshimin e ligjit për pagat.
Pra, çdo ndryshim i strukturës apo vlerës numerike të koeficientit kërkon edhe ndryshimin e ligjit për pagat. Në të kundërtën është i paligjshëm dhe çon në shkelje të ligjit në fuqi.
Reagimet
Miftaraj: VV është aq e dobët, saqë pagat janë rritur në kundërshtim me Ligjin
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj ka thënë se Vetëvendosje ka bërë rritje të pagave në kundërshtim me Ligjin për Pagat.
Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ai ka shkruar:
“LVV jane aq te dobet ne qeverisje sa edhe kur dojne me i rrit pagat ne sektorin publik e bejne ne kundershtim me ligjin per Pagat”.
Në fund, Miftaraj ka shkruar se rritja e pagave në kohë fushate, është blerje e votave.
“P.S. Rritja e pagave e kohe fushate eshte blerje e votave. Eshte mashtrim dhe vledhje elektorale.” – ka thënë Miftaraj.
Tahiri sheh ‘hile’ te Kurti për pagat
“Përmes Nenit 32 në Ligjin për Buxhetin, rritja e koeficientit prej 110 në 135”, është mënyra e rritjes së pagave për sektorin publik ka thënë Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, në një konferencë për media, duke thënë se metoda që ka zgjedhur qeveria sot ka qenë “e kundërligjshme” dhe me hile ndaj opozitës: pasi që një vendim i tillë do të kërkonte amandamentim të Ligjit për Paga në Kuvend dhe asisoji kryeministri kosovar, Albin Kurti do t’ia hidhte fajin opozitës që “qe, këta janë kundër rritjes së pagave”.
“Nuk e mbështesim në asnjë rrethanë rritjen 50 euro, se nuk përkon as me parametrat e rritjes ekonomike e as inflacionin. Është mashtrim e synim me ble vota. Rritja e pagës në modelin që e ka prezentu Kurti mundet me ndodh vetëm nëse ka amandamentim, por ajo nuk ndodh”, ka thënë Tahiri para gazetarëve.
“Kjo rritje nuk mundet me u bo…për m’u prek një ligj m’u amandemntu duhet kuvendi. Procedura ka elemente konsultative, a jeni konsultu me naj njeri të gjallë për të? Me naj sindikatë? Apo vetëm një vendim elektoral? Apo veç me ia lanë fajin opozitës ‘qe këta nuk po lajnë rritje pagash’?”, tha Tahiri.