ANALIZA / Yildiz është “fari”, ndërsa Bremer “muri” i Juventusit. Ka edhe “stafetë” David-Vlahovic

Dy gola dhe katër protagonistë kryesorë, tre në sulm dhe një në mbrojtje. Juventusi mbyll me sukses ndeshjen hapëse ndaj Parmës nën shenjën e Yildiz, David, Vlahovic dhe Bremer. I mbështetur nga një Conceição i mirë, “fari” ndriçues i padiskutueshëm i bardhezinjve ishte Yildiz. Në “Allianz Stadium”, turku mori rolin e njeriut-asist, duke çarë me cilësinë e tij një ndeshje që rrezikonte të bëhej e komplikuar përballë dukalëve të ngujuar në mbrojtje të portës së Suzuki dhe me hapësira minimale për të depërtuar. Pas një ore lojë pa rezultat, i takoi xhevahirit bardhezi të shpikte lëvizjen që i lejoi David të zhbllokonte ndeshjen.

© Getty Images

Sigurisht, edhe afrimi i ri dha kontributin e vet për ta kompletuar veprën. Goditja e ish-sulmuesit të Lille nuk kaloi aspak pa u vënë re nga tifozët bardhezinj. Një shkëndijë instinkti dhe sulmues tipik i zonës, gjëra nga ato të bomberëve të vërtetë, çka përbën sinjal pozitiv për Tudor dhe “kartëvizitë” të bukur për kanadezin, i cili fillimisht pati vështirësi me lëvizjet e shpejta ndaj Parmës, me përfundimin e aksioneve me saktësi dhe me ndërtimin e lojës bardhezi në qendër të sulmit.

© Getty Images

Histori tjetër për Vlahovic. I futur në lojë për të zëvendësuar David në fund, serbit iu deshën vetëm 4 minuta lojë për t’u gjendur në vendin e duhur dhe në momentin e duhur. Pasi mori asistin e Yildiz e dyfishoi epërsinë dhe “vulosi” rezultatin, i vënë në dyshim pas përjashtimit të shmangshëm të Cambiaso me karton të kuq. Një gol që, pavarësisht diskutimeve për kontratën dhe tregun, bashkë me festën, reagimin e tifozëve dhe përqafimin e shokëve të skuadrës, tregon dëshirën e sulmuesit për ta fituar vendin e tij në fushë me gola, në një lloj “stafete” që, nëse ai mbetet në Torino, në fund të fundit mund të rezultojë e dobishme për Juven në aspektin sportiv.

© Getty Images

Së fundi, kapitulli “Bremer”. I rikthyer në kampionat pas më shumë se 300 ditësh, braziliani mori menjëherë në dorë mbrojtjen bardhezi duke i dhënë siguri, personalitet, fizik dhe eksperiencë repartit. Një prani vendimtare dhe tejet e çmuar për gjithë skuadrën, siç treguan shpëtimi i madh në fillim të pjesës së dytë ndaj Pellegrinos dhe shumë duele “trup më trup” e ajrore të fituara, që i lejuan Juves të qëndronte lart dhe të rrezikonte shumë pak.

The post ANALIZA / Yildiz është “fari”, ndërsa Bremer “muri” i Juventusit. Ka edhe “stafetë” David-Vlahovic appeared first on Telesport.