Analisti që çdo mbrëmje e mbron Kurtin sot e zyrtarizoi koalicionin me VV-në

Analisti politik, Xhavit Drenori, i cili në çdo mbrëmje ia mbanë anën Qeverisë Kurti, ka vendosur edhe zyrtarisht të bashkëpunojë me VV-në.

Drenori, drejtues i iniciativës qytetare ‘GREEN për Drenas’, ka treguar se sot ka arritur një marrëveshje bashkëpunimi me Lëvizjen VETËVENDOSJE! për të garuar së bashku në zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Drenas.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se ky bashkëpunim do të jetë i suksesshëm.

“GREEN për Drenas 🟢 dhe VETËVENDOSJE! 🔴 garojnë me listë të përbashkët në zgjedhjet e 12 tetorit. Me kënaqësi ju njoftojmë se sot kemi arritur një marrëveshje bashkëpunimi me Lëvizjen VETËVENDOSJE! për të garuar së bashku në zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Drenas. GREEN për Drenas do të mbështesë znj. Egzona Tërdevci për kryetare të Komunës së Drenasit, ndërsa unë me një pjesë të ekipit do të jemi pjesë e listës së përbashkët për asamble. ✅ Projektet dhe prioritetet kryesore të platformës sonë GREEN për Drenas janë inkorporuar në programin e përbashkët zgjedhor, duke i dhënë këtij bashkimi një drejtim të qartë për zhvillim të qëndrueshëm, transparencë dhe përfshirje qytetare”, ka shkruar ai.

Sipas tij, ky është një bashkim i vlerave.

“Ky bashkim nuk është thjesht aritmetikë politike — është një bashkim i vlerave për një Drenas më të drejtë, më të pastër dhe më të mirë për të gjithë.

🗳️ Tani jemi më të përgatitur dhe më të fuqishëm për të fituar balotazhin dhe për ta marrë qeverisjen lokale në dorë, me besimin dhe mbështetjen tuaj. 🟢 🔴 Bashkohuni me ne – koha për ndryshim të vërtetë në Drenas ka ardhur!”, ka shkruar Drinori.