Analistët paralajmërojnë pasoja edhe nëse shkohet ose jo në zgjedhje

Dekreti i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e kuvendit po vazhdon të krijojë debat juridik mes interpretimeve të ndryshme nëse vendi do të shkoj në zgjedhje apo jo. Vëmendja është te Gjykata Kushtetuese e cila do të sqarojë drejtimin e ardhshëm të zhvillimeve politike.

Njohës të fushës thonë se Kosovës nuk i konvenon shkuarja në zgjedhje për shkak se shpresojnë që kushtetuesja a t’ju jap një mundësi partive politike për zgjedhjen e presidentit.

“Unë konsideroj që nëse gjykata do të vepronte në këtë drejtim, ju duhet patjetër partive politike që të ri-reflektojnë edhe njëherë të them raport me gjetjen një emri që të ishte konsensual dhe i si i tillë do të na shpinte në çdo formë drejtë konsolidimeve tërësishme të institucioneve. Në të kundërtën, ne do të duhet të jemi patjetër në një proces të ri zgjedhor por i cili nuk mund të prodhoj ndoshta një zgjidhje të qëndrueshme afatgjatë për Republikën”, ka thënë Dorajet Imeri, politolog.

Njohësi i Kushtetutës Mazlum Baraliu, pret që Gjykata Kushtetuese të dal me vendim sa më parë, në mënyrë që vendi mos të futet në një krizë tjetër.

Sipas ti, zgjedhjet nuk janë zgjidhje për Kosovën.

“Kjo është më tepër se keq, më tepër se e papranueshme dhe e palejueshme për çdo kënd, i cili faktikisht ka marrë besimin pra po flas për deputet dhe partitë politike nga qytetari për të ndërtuar institucione, për të funksionalizuar institucione, kjo është edhe obligim i Gjykatës Kushtetuese me vendimet e saja që i ka dhenë këtyre partive dhe deputetëve të tyre dhe jo për të penguar njeri tjetrin me taktikat dhe varavigat e tyre politike, pra me teke, me inate, me veprime të pa denja dhe të dëmshme skajshmërisht”, ka thënë Baraliu.

Partia në pushtet ka kundërshtuar dekretin e shefes së shtetit për shpërndarje të parlamentit, teksa nga opozita e kanë përkrahur të njëjtin.

Në rrethanat e krijuara politike, shoqëria civile ka bërë thirrje që sa më shpejt të përmbyllet procesi i emërimit të përbërjes së re të KQZ-së, pasi nëse vendi shkon në zgjedhje, institucionet zgjedhore do të jen të pakonsoliduara.