Analistët ndërkombëtarë shohin lëvizje të pozicioneve amerikane për dialogun Kosovë-Serbi

Njohësit ndërkombëtarë të zhvillimeve politike mendojnë se administrata e re amerikane do të punojnë me shpejtësi për ta përmbyllur dialogun Kosovë-Serbi, por sipas tyre Vuçiqi do të presë deri në zgjedhjet e ardhshme në Serbi.

Profesori nga London School of Economics James Ker-Lindsay thotë se Administrada e Biden do të jetë më miqësore me Kosovën por sipas tij qasje ndaj Serbisë ishte e gabuar.

“Ishte e qartë se administrate e re amerikane bëri thirrje për njohje të Kosovës nga Serbia. Ky lajm u pritë mirë nga Kosova. Është e qartë se Administrata Biden është shumë më miqësore për Kosovën se ajo paraprake. Por në fakt mendoj se ky ishte një gabim nga ekipi i ri në Uashington. Të gjithë e dinin se cila do të ishte përgjigja e Beogradit dhe nuk ishte befasi kur Vuçiq tha se njohja nuk do të ndodhte”, tha për RTV Dukagjinin, James Ker-Lindsay.

Lindsay thotë se ndërmjetësuesit duhet të kenë qasje më pozitive me dy palët në mënyrë që të arrihet marrëveshja sa më parë.

“Ajo që nevojitet është që të ketë zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe sinqerisht kjo nuk është mënyra [për ta bërë atë…Thjesht nuk do të duhej të bëhet thirrje e hapur për njohje pasi dihet se Serbia nuk do ta pranojë në këtë fazë”.

Ndërsa profesori nga John Hopkins University, Daniel Serwer deklaron se qëllimi final i Biden është njohja finale e Kosovës nga Serbia.

“Qëllimi i Biden është njohja reciproke, por nuk shoh se mund të ndodh diçka e tillë nga Vuçiq para zgjedhjeve të ardhshme presidenciale serbe. Shpresoj se Brukseli e Uashingtoni të punojnë së bashku për të përfunduar këtë proces”, tha Daniel Serwer.