Ndërkohë që shtohet numri i shteteve që miratojnë ligje për krimet kibernetike, analistët paralajmërojnë se përpjekjet për t’u përballur me shqetësimet e vërteta ka gjasa t’u mundësojnë autoriteteve të vendosin në shënjestër kritikët e tyre.
Analistët paralajmërojnë se amendamentet e miratuara së fundmi në Pakistan dhe Mianmar mund të përkeqësojnë shtypjen e lirisë së shprehjes në këto vende.
Disa veçojnë rastin e Nigerisë si provë. Që kur u miratua ligji për krimet kibernetike në vitin 2015, organizatat për të drejtat e njeriut kanë dokumentuar 29 raste padish ndaj gazetarëve.
“Po shohim kriminalizim gradual të gazetarëve nëpër botë dhe kjo prirje paraqet një kërcënim të madh për lirinë e shtypit”, thotë Jonathan Rozen, hulumtues pranë Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ).
Në Pakistan, qeveria në muajin janar ndryshoi Ligjin për Parandalimin e Krimeve Elektronike, të miratuar në vitin 2016. Autoritetet thanë se ndryshimet sznojny të godasin krimet kibernetike, ngacmimet përmes internetit dhe shpërndarjen e përmbajtjeve me gjuhë urrejtjeje që mund të nxisë dhunë.
Ministri për Informim i Pakistanit, Attaullah Tarar, tha se ligji duhej “për të rregulluar (me ligj) rrjetet sociale”.
“Shtetet në mbarë botën kanë disa kode apo standarde në bazë të të cilave funksionojnë rrjetet sociale, por vendi ynë nuk ka asnjërën”, u tha ai gazetarëve muajin e kaluar.
Gazetarët dhe shoqëria civile protestuan kundër këtyre amendamenteve, duke thënë se akuzat do t’u mundësojnë autoriteteve të përndjekin penalisht ata të cilët nuk mendojnë njejtë si qeveria.
Analistët sjellin si shembull terma të tillë, të përgjithshëm në ligj, si përmbajtje “e jashtëligjshme”, apo “persona”, kjo e fundit që nënkupton tani institucione shtetërore dhe korporata.
Një amendament tjetër i propozuar është krijimi i Autoritetit për Mbrojtjen e të Drejtave Digjitale, që mund të heqë përmbajtjen nga platformat e rrjeteve sociale.
Kritikët dhe grupet për të drejtat e mediave shprehin shqetësimin se kjo masë i hap rrugën kufizimeve të shtuara ndaj gazetarëve dhe përdoruesve të rrjeteve sociale dhe veprimeve ligjore ndaj tyre, duke kufizuar zërat kritikë dhe duke i mundësuar udhëheqjes së fuqishme ushtarake të vendit që të vërë në shënjestër njerëz të zakonshëm.
Organizatat për të drejtat e mediave kanë dokumentuar mbi 200 raste të gazetarëve nën hetim që pnga miratimi i ligjit për Parandalimin e Krimeve Elektronike, i njohur si PECA.
Joshua Kurlantzick, analist i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë, tha se ndryshimet në ligjin e Pakistanit për krimet kibernetike do ta “përkeqësonin edhe më shumë atmosferën e shtypjes që tashmë ekziston në internet”.
Sipas tij, ushtria e Pakistanit ka “ashpërsuar goditjen” ndaj kritikëve gjatë vitit të fundit.
“Kanë bërë çmos që të vendosin në shënjestër individë, aktivistë të të drejtave të njeriut, gazetarë, si dhe t’i përdorin ligjet për të përndjekur persona dhe shpesh për t’i çuar ata në burg”, tha ai.
Ministria pakistaneze e Informimit nuk iu përgjigj kërkesës së Zërit të Amerikës për koment.
Shqetësime të ngjashme janë shprehur edhe në Mianmar, ku junta në muajin korrik miratoi një ligj gjithpërfshirës mbi krimet kibernetike. Ligji vë në shënjestër rrjetet private virtuale, të njohura si VPN, që u mundësojnë përdoruesve të internetit të hapin faqet e bllokuara të internetit, apo ato që janë të cenzuruara.
Junta tha se ligji i ri nevojitej për t’u mbrojtur nga sulmet dhe krimet kibernetike që mund të kërcënojnë stabilitetin e shtetit.
Që kur mori pushtetin përmes grusht shtetit në shkurt të vitit 2021, ushtria e Mianmarit ka pezulluar lejet e transmetimit, ka bllokuar qasjen në faqe të caktuara interneti dhe ka burgosur gazetarët. Ky shtet, ku 35 gazetarë po mbahen në burg, mban vendin e tretë në listën e shteteve me numrin më të madh të gazetarëve të burgosur, sipas të dhënave më të reja të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.
Një ekspert nga grupi Projekti për Internet në Mianmar, që mbron të drejtat digjitale, i tha Zërit të Amerikës se ligji është më i përqëndruar tek shtypja e të drejtave se tek mbrojtja e publikut.
“Të gjitha nenet e ligjit synojnë të shtypin dhe jo të mbrojnë publikun”, deklaroi eksperti, i cili u identifikua vetëm si U Han. “Ne besojmë që junta do ta shfrytëzojë këtë ligj si një armë të përgatitur për këtë qëllim”.
Megjithatë, analisti Kurlantzick beson se ushtria do ta ketë vështirë të kufizojnë hapësirën në internet.
“Ushtria e Mianmarit nuk ka më fuqi që të kufizojë kritikën në internet, meqë 70 për qind e vendit tani kontrollohet nga grupet opozitare”, tha ai. “Qeveria, e cila nuk mund të sigurojë furnizim me energji elektrike, ujë apo të ofrojë shërbime tjera as për qytetet e mëdha, nuk e ka aftësinë që të bllokojë internetin tani”.
Në Nigeri, Ligji për Krime Kibernetike, i miratuar në vitin 2015, është përdorur për padi kundër gazetarëve të cilët hetojnë korrupsionin. Por qeveria ka bërë disa reforma bazuar me rekomandim të shoqërisë civile dhe organizatave që mbrojnë lirinë e shtypit.
Dy pjesë të ligjit për krime kibernetike kanë nxitur shqetësime në veçanti, për shkak të “gjuhës shumë të paqartë” që ka mundësuar arrestimin e gazetarëve për ato që u cilësuan si mesazhe “shpifëse”, sipas zotit Rozen nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve.
Në vitin 2024 u bën disa ndryshime në këtë ligj, për ta bërë gjuhën më të qartë.
“Me ndryshimet e fundit, autoritetet mund t’i arrestojnë gazetarët vetëm nëse ata dërgojnë me vetdije mesazhet të rreme, apo nëse mesazhet bëhen shkas për trazira, apo përbëjnë kërcënim për jetën”, tha zoti Rozen, duke shtuar se disa pjesë të ligjit vazhdojnë të mbesin “shumë të gjëra dhe mund të keqpërdoren”.
Këto pjesë të ligjit, u mundësojnë forcave të rendit të kenë qasje në informacion përmes ofruesit të shërbimit të telefonit ose internetit pa një urdhër të gjykatës.
Policia e Nigerisë e ka shfrytëzuar këtë nen të ligjit për të siguruar qasje në të dhënat e gazetarëve, thotë zoti Rozen, duke theksuar se katër gazetarë aktualisht po përballen me ndjekje penale sipas ligjit për krime kibernetike.
Zoti Rozen pajtohet se “dezinformimi dhe informimi keqdashës përbëjnë sfidë për shoqërinë, por ajo që po shohim”, thotë ai, “është një kriminalizim i gazetarëve me akuza se po shpërndajnë informacion të pavërtetë dhe në shumë raste, ky përdoret si shkas për t’i heshtur apo për t’i shtypur” zërat kritikë.
Me faktin që raportimet dhe shkrimet gjithnjë e më shumë po bëhen në internet, mjetet që disa qeveri po përdorin për të shtypur gazetarët po i përshtaten modernizimit të industrisë, thotë zoti Rozen. /VOA