Analisti politik, Imer Mushkolaj, ka komentuar deklaratën e ish-kryeministrit Avdullah Hoti, i cili kërkoi udhëheqje të re për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Sipas Mushkolajt, reagimi i Hotit tregon problemet brenda partisë, të cilat, sipas tij, kanë nisur që në kohën e hartimit të listave zgjedhore. “Pakënaqësitë mendoj se kanë lind shumë më herët, të paktën në kohën kur u bën listat zgjedhore, kur u hartuan ato Hoti u rendit i 13-ti, ndërkohë që të tjerë kanë mundur të jenë më pak meritor sesa ky me kontribut në LDK u renditën më përpara. Unë mendoj se problemi kryesor, ishte renditja e zonjës Kica – Xheleli në listën zgjedhore, edhe pakënaqësitë e zotit Hoti dhe të tjerëve kanë qenë për këtë arsye”, ka deklaruar ai në Debat Plus. Ai ka theksuar gjithashtu se pakënaqësitë nuk kanë qenë vetëm për listat, por edhe për mënyrën se si u zhvillua fushata zgjedhore. “Zonjës Kica – Xhelili iu rezervua numri tre në listën e LDK-së, ndërkohë që të tjerët u vendosën pas saj. Zëra të pakënaqësisë brenda LDK-së ka pasur edhe me fushatën zgjedhore, me pretendimet se Abdixhiku se e ka personalizuar fushatën, që pak a shumë mendoj se kanë pasur të drejtë. Kemi parë një fushatë të personalizuar qysh prej sloganit të fushatës e tutje”, ka deklaruar tutje Mushkolaj.
Analisti politik, Ilir Deda, ka folur për pakënaqësitë e deputetit Avdullah Hoti me lidershipin e LDK-së.
Deda tha se të gjithë në LDK duhet të jenë shumë të kënaqur me rezultatin që kanë marrë, dhe sipas tij, askush s’e di pse Hoti është i pakënaqur.
“Cka ka prit ai, që LDK-ja do t’i marrë 200 mijë vota, nëse ka pritë që LDK-ja ka me i marrë ato vota, atëherë le të tregon qysh”.
“Unë mendoj që LDK-ja si parti e madhe dhe e vjetër, ajo parti e vjetër ka shumë edhe përvojë. Besoj se shpejt do të gjejnë gjuhë të përbashkët, sepse do të përgatiten për sfidat e radhës. Shpejt janë zgjedhjet lokale, nuk dimë nëse do të ketë zgjedhje nacionale prapë dhe neve na vyen zëri politik i LDK-së”, tha Deda në Rubikon në Klan Kosova.
Deputeti i sapo zgjedhur i LDK-së, Avdullah Hoti përmes një reagimi në Facebook ka kërkuar lidership të ri të partisë pasi nuk është i kënaqur me rezultatin që e kanë arritur në zgjedhjet e 9 shkurtit.