Amorim realist: Ky Manchester United nuk është ende gati për të luajtur në Europë

I ardhur te Manchester United me objektivin për ta rikthyer në lavdinë e dikurshme, Ruben Amorim po përjeton një periudhë të ndërlikuar. Mes humbjeve dhe paraqitjeve të luhatshme, trajneri portugez ka bërë një analizë kritike të skuadrës së tij, duke u ndalur sidomos te menaxhimi i lojtarëve në arenën europiane, pas finales së “Europa League” të humbur kundër Tottenham.

Në konferencë për shtyp, Amorim u shpreh: “Kemi lojtarë cilësorë, duhet ta konsolidojmë skuadrën për të provuar të fitojmë çdo ndeshje. Është diçka normale në klube të tjera, por unë besoj se ne nuk jemi të përgatitur për të luajtur në Europë. Ky është mendimi im. Për të bërë ndeshje të mira në Champions League dhe pastaj konkurruar në Premier League, kemi nevojë për kohë që të përmirësohemi si grup”.

Një situatë që këtë vit nuk do të ndodhë, pasi Sesko dhe shokët e tij nuk do të marrin pjesë në kupat europiane. Tekniku portugez nënvizoi rëndësinë e planifikimit të kujdesshëm për çdo sfidë: “Na duhet kohë për t’u përgatitur për çdo javë kampionati. Ndeshjet janë shumë intensive, ndaj kemi nevojë të ndërtojmë bazat dhe, në të ardhmen, të bëjmë përparime”.

Megjithë vështirësitë fillestare, Amorim predikon durim, element kyç si për drejtuesit, ashtu edhe për tifozët, të cilët duhet ta mbështesin procesin e rritjes së një skuadre që kërkon të rikthejë konkurrueshmërinë dhe besimin në skenën ndërkombëtare.

The post Amorim realist: Ky Manchester United nuk është ende gati për të luajtur në Europë appeared first on Telesport.