Amir Rrahmani i shkon në zyre Albin Kurtit

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në një takim kapitenin e Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani.

Në këtë takim morën pjesë edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, si dhe deputeti dhe trajneri i njohur Bylbyl Sokoli.

Kreu i ekzekutivit e vlerësoi lart rrugëtimin e jashtëzakonshëm të Rrahmanit, i cili nga Drenica ka kaluar nëpër ekipe si Partizani i Tiranës, Split, Lokomotiva e Zagrebit, Dinamo e Zagrebit, Verona, dhe aktualisht Napoli – ku është shpallur dy herë kampion i Italisë.

Kurti e cilësoi Rrahmanin si një prej futbollistëve më të mirë dhe më të suksesshëm të Kosovës, dhe një shembull frymëzues për sportistët e rinj.

“E uruam për arritjet e jashtëzakonshme në futbollin profesionist e veçanërisht në një ekip si Napoli ku sa herë fiton bëhesh i paharrueshëm dhe ikonë për tifozerinë atje, si dhe e falënderuam për përfaqësimin e denjë të Republikës sonë – e unë edhe për fanellën që ma dhuroi”, ka shkruar Kurti në Facebook.