Amir Abdiji është ende një 18-vjeçar, por me predispozita të mira për të bërë karrierë në futbollin evropian. I lindur në Zvicër, Abdiji deri tani ka luajtur në ekipet e moshave të futbollit helvetik si Rheintal Bodensee (U11 deri në U14), FC St. Gallen (U15 deri në U19) dhe tani te FC Wil U20.
Qendërmbrojtësi shtatlartë është njëri nga emrat e shumtë të futbollistëve shqiptarë që po luajnë në futbollin zviceran dhe synojnë një karrierë të madhe në futbollin evropian, por edhe në Kombëtaren e Kosovës.
Në një intervistë me Telegrafin, Abdiji, i cili përveç qendrës së mbrojtjes mund të luaj edhe si mesfushor defensivë, ka treguar gjithçka rreth vetes, karrierës së tij, pritshmërive dhe ‘ëndrrave’.
“Jam një lojtar i fortë në mbrojtje, me pasime të sakta dhe pozicionim të mirë në fushë. Pikat e mia të forta janë pozicionimi, ndërtimi i lojës dhe parashikimi i lëvizjeve. Jam duke punuar për të përmirësuar aspektin atletik, veçanërisht fuqinë e kërcimit dhe shpejtësinë”, ka thënë fillimisht Abdiji.
Abdiji, i cili ka marrë pjesë në turneun e njohur Helvetia Cup dhe ka luajtur kundër PSG, Benfica Lisbonës dhe VfB Stuttgart, duke përfunduar i dyti, ka treguar përvojën e tij te klubi i njohur zviceran FC St. Gallen U19.
“Koha ime te FC St. Gallen U19 ishte shumë mësimdhënëse. Kam mësuar shumë për karrierën time, si të jap maksimumin çdo ditë dhe të stërvitem me përkushtim të madh”.
18-vjeçari ka treguar edhe arsyen e kalimit te ekipi U-20 i FC Wil.
“Vendosa të ndryshoj drejtim, pasi më mungonin minutat e lojës te FC St. Gallen. Qëllimi im është të fitoj minuta lojë te FC Wil U20 përmes stërvitjeve të forta. Dua të bëhem lojtar titullar te FC Wil U20 dhe të kem minuta të rregullta loje”, shtoi mbrojtësi.
Qëllimi dhe objektivi i Abdijit është të arrij nivelin më të lartë të futbollit evropian me klube, ndërsa idhujt e tij janë dy nga emrat më të mëdhenj të mbrojtësve në botë aktualisht.
“Ëndrra ime e madhe është të bëhem futbollist profesionist dhe një ditë të luaj në Ligën e Kampionëve”.
“Idhulli? Virgil van Dijk dhe Antonio Rudiger. Van Dijk më frymëzon me ndërtimin e tij të shkëlqyer të lojës, ndërsa Rudiger për pasionin dhe energjinë e tij të jashtëzakonshme”.
Abdiji gjithashtu ka treguar se cila është moto e tij dhe si e kalon kohën e lirë.
“Moto? Puna e palodhshme mund talentin – përmes punës është gjithçka e mundur. Kohën e lirë e kaloj kohë me familjen dhe miqtë për t’u çlodhur”.
Krejt në fund, Abdiji tregoi se nderi i tij më i madh është të luajë për kombëtaren e Kosovës, por ende nuk ka ardhur ftesa.
“Për fat të keq, ende nuk më ka kontaktuar as Kosova U-21 dhe as ekipi U-19. Do të ishte një nder dhe krenari e madhe për mua të luaja për Kombëtaren”, përfundoi qendërmbrojtësi 18-vjeçar.