Ambasadorja e Izraelit në Mbretërinë e Bashkuar, Tzipi Hotovely ka thënë se është parë që Irani s’ka asnjë qëllim për të bërë një zgjidhje diplomatike.
Kuenssberg e sfidon atë për kohën kur Izraeli kreu sulmin – vetëm disa ditë përpara se të rifillonin bisedimet diplomatike mes Iranit dhe SHBA-së lidhur me programin bërthamor të Iranit.
“Ne pamë që Irani nuk ka asnjë qëllim për të hyrë në një zgjidhje diplomatike këtu. Ata kanë vepruar njësoj për 20 vitet e fundit,” tha ajo, duke thënë se Evropa duhet të jetë mirënjohëse për atë që po bën Izraeli.
Ambasadorja shprehet se ajo beson që fushata e Izraelit do të krijojë gjithashtu një “mundësi më të mirë” për t’i dhënë fund luftës në Gaza.
“Unë besoj se jemi gjithnjë e më afër mundësisë që Hamasi ta kuptojë se duhet të kthejë pengjet tona dhe të sigurojë që lufta në Gaza të ndalet,” deklaron ajo.
/Reporteri.net/
Izraeli shënjestron selinë e Ministrisë së Mbrojtjes së Iranit në Isfahan

Një zyrtar iranian ka konfirmuar se një seli e Ministrisë së Mbrojtjes së Iranit është shënjestruar në provincën qendrore të Isfahanit.
Zëvendësguvernatori i Isfahanit për Çështjet e Sigurisë, Akbar Salehi, tha se deri më tani nuk ka raportime për viktima në selinë e goditur dhe se dëmet e mundshme janë ende duke u vlerësuar.
Mbrëmë, mediat iraniane raportuan gjithashtu se një sulm izraelit ka shënjestruar Ministrinë e Mbrojtjes së vendit në zonën Nobonyad të Teheranit./Reporteri.net/
Ministri i jashtëm i Iranit: ShBA-ja, bashkëfajtore në sulmet e Izraelit, kemi prova

Ministri i Jashtëm i Iranit, Seyyed Abbas Araghchi, thotë se “Amerika është partnere” në sulmet izraelite ndaj objekteve bërthamore të Iranit dhe thekson se SHBA “duhet të marrë përgjegjësi për veten”.
Ai i bën thirrje SHBA-së të dënojë sulmet e Izraelit dhe thotë se këto sulme nuk do të kishin ndodhur kurrë pa dritën jeshile dhe mbështetjen e SHBA-së për Izraelin.
“Kemi marrë mesazhe përmes kanaleve të ndryshme se SHBA nuk ka pasur përfshirje në këtë sulm, megjithatë, ne nuk e besojmë këtë pretendim dhe kemi prova që e kundërshtojnë atë,” shkruan ai në Telegram.
Ai shton se raundi i ardhshëm i bisedimeve bërthamore me SHBA-në mund të kishte hapur rrugën për një marrëveshje, por akuzon Izraelin se e ka sabotuar këtë proces./Reporteri.net/
Gjermania, Franca dhe Britania ‘i shtrin dorën’ Iranit në përpjekje për të ulur tensionet në konfliktin me Izraelin

Gjermania, Franca dhe Britania janë të gatshme të zhvillojnë bisedime të menjëhershme me Iranin për programin e tij bërthamor, në përpjekje për të ulur tensionet në Lindjen e Mesme, ka deklaruar ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, përcjell Reporteri.net.
Wadephul, i cili po qëndron për vizitë në Lindjen e Mesme, thotë se po përpiqet të ndihmojë në de-përshkallëzimin e konfliktit mes Izraelit dhe Iranit, duke theksuar se Teherani më parë kishte dështuar të shfrytëzonte mundësinë për të hyrë në bisedime konstruktive.
“Shpresoj që kjo ende të jetë e mundur,” i tha Wadephul transmetuesit publik gjerman ARD.
“Gjermania, së bashku me Francën dhe Britaninë, janë të gatshme. Po i ofrojmë Iranit bisedime të menjëhershme për programin bërthamor. Shpresoj që kjo ofertë të pranohet.”
“Ky është gjithashtu një parakusht thelbësor për të arritur qetësimin e këtij konflikti — që Irani të mos përbëjë rrezik për rajonin, për shtetin e Izraelit apo për Evropën.”
10 të vdekur nga sulmet me raketa të Iranit ndaj Izraelit

Ka shkuar në dhjetë numrin e viktimave nga sulmet me raketa të Iranit ndaj Izraelit.
Po ashtu, autoritetet kanë ulur numrin e personave të zhdukur në atë vend, i cili më parë mendohej të ishte në dhjetëra. Aktualisht, shtatë persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nën rrënojat e ndërtesave të goditura nga raketat iraniane gjatë natës.
Komandanti rajonal i policisë, Daniel Hadad, u tha gazetarëve se “mund të duhen ditë” për të përfunduar kërkimet.
“Këtu ka shkatërrim të madh, shumë rrënoja dhe mbeturina që duhet të hiqen për të gjetur të zhdukurit,” tha ai, sipas Times of Israel./Reporteri.net/
Izraeli rrëzon shtatë dronë të lëshuar nga Irani

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë njoftuar se shtatë dronë janë lëshuar drejt territorit izraelit gjatë orës së fundit, përcjell Reporteri.net.
Sipas IDF, dronët janë ndërprerë dhe rrëzuar nga Forcat Ajrore të Izraelit dhe Marina Izraelite.
Pamjet e publikuara nga IDF tregojnë një shpërthim në qiell, që sipas tyre është momenti i interceptimit të një droni.
Trump paralajmëron se e gjithë fuqia e ushtrisë amerikane do të bie mbi Iranin nëse SHBA-ja sulmohet

Presidenti Donald Trump ka thënë se SHBA nuk është e përfshirë në konfliktin më të fundit mes Izraelit dhe Iranit, përcjell Gazeta Online Reporteri.net.
“SHBA nuk kishte asnjë lidhje me sulmin ndaj Iranit, sonte,” ka shkruar Trump në një postim në Truth Social.
Irani ka paralajmëruar SHBA-në dhe aleatët e saj që të mos ndihmojnë Izraelin në ndalimin e sulmeve hakmarrëse të Teheranit, por Trump kishte dhe nje mesazh për këtë.
“Nëse do të sulmohemi në çfarëdo forme apo mënyre nga Irani, e gjithë fuqia dhe forca e Forcave të Armatosura të SHBA-së do të bjerë mbi ju në nivele që nuk janë parë kurrë më parë,” shton Trump.
“Megjithatë, ne mund të arrijmë lehtësisht një marrëveshje mes Iranit dhe Izraelit dhe ta përfundojmë këtë konflikt të përgjakshëm!!!”, përfundoi postimin e tij Trump./Reporteri.net/
Shkon në katër numri i të vdekurve në Izrael pas sulmit të Iranit, 99 të plagosur

Katër persona janë konfirmuar të vdekur pas një sulmi në Izraelin qendror.
Të katër viktimat janë: një grua rreth të 60-ave, një grua në të 80-at, një djalë rreth 10 vjeç dhe një vajzë e vogël.
Ndërkohë, Shërbimi emergjent i Izraelit-MDA njofton se po trajton 99 persona të plagosur – katër prej tyre janë në gjendje të rëndë.
Në të njëjtën kohë, Izraeli ka ndërmarrë sulme ndaj Iranit – por ende nuk ka të dhëna për viktima atje.
Raportimet nga Irani tregojnë se autoritetet kanë vendosur kufizime të gjera në internet pas sulmeve izraelite./BBC/Reporteri.net/