Ambasadori serb konfirmon se Dick Marty u furnizua me materiale nga Serbia për raportin e tij (VIDEO)

Të  mërkurën e javës që po lëmë pas Prokuroria e Gjykatës Speciale bëri një njoftim befasues, duke thënë se ka deponuar në Gjykata aktakuza për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe kreun e PDK-së, Kadri Veseli.

Në njoftimin për media i cili u publikua vetëm tri ditë para takimit në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Prokuroria më shumë fliste për politikë sesa për gjetje dhe fakte për dy drejtuesit e UÇK-së.

Kjo u pa si tendencë që të pengohet presidenti Thaçi në arritjen e marrëveshjes me Serbinë në Uashington.

Por, pretendimet e Prokurorisë të cilat bazohen në raportin e Dick Martyt tashmë në disa raste është thënë se janë materiale qe Serbia e ka furnizuar Martyn.

Ish-ambasador i Serbisë në Zvicër, Milan St. Protiq, në televizionin serb “TV HAPPY”, ka konfirmuar se Dick Marty e ka hartuar raportin e tij me “dëshmitë dhe provat” që ia ka dhënë prokuroria e Serbisë.

Ish-ambasadori serb në Zvicër pati konfirmuar edhe vetë bashkëpunimin që ka pasur me ish-raportuesin e Këshillit të Evropës, Dick Marty, si dhe furnizimin me material nga prokuroria serbe për krimet e luftës, në bazë të të cilave e ka hartuar edhe raportin e tij në vitin 2010 për Këshillin e Evropës, shkruan  Ballkani.info.

Duke e prezantuar përmbajtjen e librit të tij në një prej emisioneve të “TV HAPPY”, ish- ambasadori i Serbisë në Zvicër, Milan St. Protiq, e ka vlerësuar si shumë intrigante për lexuesit rrëfimin e tij për Martyn, trafikimin e organeve dhe “Shtëpinë e verdhë“.

“Ideja ime, pasi që jam vendosur në Zvicër, faktikisht ka qenë të takojë Dick Martyn, i cili asokohe sapo ishte emëruar raportues i Këshillit të Evropës. Nga ana e prokurorisë sonë për krime të luftës, kam qenë i informuar se dëshmitë tona mbi atë se çfarë ka ndodhur në veri të Shqipërisë kanë qenë shumë të forta, bindëse dhe kam vlerësuar se kjo është një arsye e mjaftueshme që veprimi im i parë në Zvicër të jetë njoftimi me Dick Martyn dhe atë e kam njohur para se të dorëzoja letrat kredenciale dhe kam vazhduar të bashkëpunojë me të”, ka thënë ish-ambasadori serb në Zvicër, Milan St. Protiq.

Protiq ka konfirmuar se pjesa më e madhe e provave materiale në raportin e Dick Martyt kanë qenë të mbledhura nga prokuroria serbe për krime të luftës dhe ai ia ka ofruar, sugjeruar dhe i ka treguar për atë material.

Po ashtu, ish-ambasadori serb në Zvicër konfirmon se Dick Martyn e ka vendosur në kontakt me përfaqësuesit serbë të prokurorisë, të cilët ia kanë dorëzuar gjithë materialin që kanë pasur.

“Dick Marty e ka pranuar materialin e mbledhur me përkushtim nga njerëzit tanë, nga prokuroria, hetuesit, përfshirë edhe policinë, dhe në bazë të tij e ka hartuar raportin”, thotë ish-ambasadori i Serbisë në Zvicër, Milan St. Protiq.

Sipas tij, vetë Dick Marty nuk ka pasur kurrfarë prove bindëse dhe serioze.