Ambasadori rus: Qëndrimi i Moskës për Kosovën mbetet i pandryshuar

Ambasadori i Rusisë në Serbi, Alexandar Botsan-Kharchenko, ka deklaruar se Moska vazhdon ta konsiderojë Kosovën “pjesë të Serbisë” dhe se zgjidhja e çështjes “duhet të bazohet në të drejtën ndërkombëtare dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, transmeton Paparaci.

Ai akuzoi Bashkimin Evropian se po ushtron presion ndaj Beogradit për të njohur pavarësinë e Kosovës dhe për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë, duke shtuar se Moska mbështet ruajtjen e stabilitetit të brendshëm të Serbisë dhe zhvillimin e saj ekonomik.

Sipas Botsan-Kharchenkos, bashkëpunimi me Rusinë mbetet i rëndësishëm për Serbinë, veçanërisht në sektorët e energjisë, industrisë, transportit, bujqësisë dhe turizmit. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet rajoneve të dy vendeve përmes projekteve të përbashkëta./Paparaci.com