Ambasadori Orav: Deeskalimi, çështja kyçe për heqjen e masave

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, ka thënë se çështja e masave ndaj Kosovës, të vendosura qershorin e vitit 2023, duhet të hiqen.

Megjithatë, në një intervistë për emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ai tha se për heqjen e tyre duhet konsensus mes shteteve të BE-së.

Ai tha se kërkesën për heqjen e masave ia kanë bërë të gjithë aktorët politikë, por edhe përfaqësues të bizneseve.

“Mund të them se në të gjitha takimet me liderët politikë në Kosovë, nga presidentja, komuniteti biznesor, kemi dëgjuar mesazhin e njëjtë për masat, dhe e kam përcjell atë edhe në Bruksel. Masat janë vendosur, dhe përfaqësuesi i lartë i kaluar i BE-së ka kërkuar nga shtetet anëtare që të heqin masat, por vendimi u takon shteteve veç e veç, sepse nevojitet konsensus. Dhe diskutimi po zhvillohet në Bruksel, por nuk mund t’ua them se kur do të hiqen. Shpresoj që qeveria e re do të konstituohet së shpejti dhe do të provojë të bindë ato shtetet anëtare të brengosura që të hiqen masat”, u shpreh Orav.

Ndër çështjet kryesore që qeveria e Kosovës duhet të bëjë që të hiqen masat, ambasadori i BE-së tha se është deeskalimi.

“Në momentin kur vendosen masat, roli im si ambasador i BE-së është të mbroj pozitën e BE-së dhe roli i BE-së për momentin është që duhet deeskalim nga qeveria dhe kjo është mënyra për heqjen e masave. Ky diskutim po zhvillohet në Shërbimin e Jashtëm dhe në Komisionin Evropian, dhe pastaj propozimi i bëhet shteteve anëtare për diskutim”.

Orav tha se shpreson që qeveria e re e Kosovës do të ndihmojë në bindjen e 27 shteteve anëtare për heqjen e masave.

Duke folur për aplikacionin e Kosovës për anëtarësim në BE, ai tha se nuk mund të ketë hapje të bisedimeve për këtë çështje përderisa ka masa të BE-së ndaj Kosovës.