Ambasadori i BE-së: Kosova nuk e ka luksin e një viti tjetër të stagnimit

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovës, Aivo Orav, ka treguar për sfidat politike që e presin Prishtinën në rrugën e saj euroatlantike.

Në një opinion të publikuar në KOHA, Orav ka thënë se presin krijimin e një qeverie të re pas zgjedhjeve të dhjetorit, sipas tij, pasi Kosova s’ka luks edhe për një bllokadë tjetër.

“Besoj se zgjedhjet e 28 dhjetorit do të mundësojnë konstituimin e shpejtë të Kuvendit dhe formimin e një qeverie stabile. Kosova nuk e ka luksin një viti tjetër të stagnimit”, ka thënë Orav.

Shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, shton se duhet të mos testohen më kufijtë e Kushtetutës, të respektohet sundimi i ligjit, pavarësia e institucineve të drejtësisë dhe që të ruhet edhe karakteri multi-etnik i shtetit.

“Kufijtë e Kushtetutës së Kosovës u testuan mjaftueshëm gjatë vitit 2025 dhe nuk kanë nevojë të testohen më tej. Respektimi i sundimit të ligjit, pavarësia e institucioneve të drejtësisë—përfshirë Këshillin Prokurorial të Kosovës—dhe vazhdimi i reformave në drejtësi mbeten thelbësore për zhvillimin demokratik dhe të ardhmen evropiane të Kosovës. Po aq e rëndësishme është ruajtja e karakterit multietnik të Kosovës. Kushtetuta e Kosovës, e bazuar në Planin e Ahtisaarit, e njeh Kosovën si shoqëri multietnike dhe ofron mbrojtje të fortë për të drejtat e komuniteteve joshumicë, qeverisje të decentralizuar dhe mekanizma për pjesëmarrje politike. Përqafimi dhe zbatimi i plotë i kësaj kornize kushtetuese është në interes të të gjithëve që jetojnë në Kosovë”, është shprehur ai.

Orav ka shkruar ndër të tjera se Bashkimi Evropian ka nevojë për një partner të qëndrueshëm dhe të besueshëm, një partner të aftë për të zbatuar reformat dhe për të respektuar angazhimet që Kosova ka marrë ndaj BE-së, përfshirë ato në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Përparimi në zbatimin e marrëveshjes së normalizimit mbetet kyç për avancimin e të dyja vendeve në rrugët e tyre evropiane”, ka thënë Orav.