Ambasadori dhe ish-Kongresisti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Tony P. Hall, i ka shprehur ngushëllimet e tij presidentint Hashim Thaçi, pas ndarjes nga jeta të babait të tij.
Në mesazhin e tij, Ambasadori Hall e ka cilësuar babain e presidentit Thaçi si një njeri të nderuar dhe patriot. Ai ka kujtuar vizitën e tij në shtëpinë e familjes Thaçi në Kosovë disa muaj më parë, ku kishte pasur rastin të njihte nga afër përkushtimin dhe dashurinë e tij për familjen.
“Ji i fortë dhe trim – mos u dekurajo. Zoti, Perëndia yt, do të jetë me ty kudo që të shkosh.”
Kujtojmë se Ambasadori Hall i kishte bërë një vizitë presidentit Thaçi në Hagë, ku kishte theksuar forcën dhe qëndrueshmërinë e tij përballë sfidave.
Pavarësisht kësaj humbjeje të madhe, ish-presidenti Hashim Thaçi nuk ka mundur të marrë pjesë në ceremoninë mortore të babait të tij, pasi Gjykata Speciale nuk e ka lejuar të udhëtojë drejt Kosovës.
Ndërkohë, mijëra qytetarë nga Kosova, si dhe autoritete të larta nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, janë mbledhur dje për t’i dhënë lamtumirën e fundit Haxhi Thaçit, duke dëshmuar respektin dhe vlerësimin e madh për jetën dhe veprën e tij.