Ambasadori britanik çon mesazh se zbatimi i marrëveshjeve me Serbinë s’ka alternativë

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka dërguar një mesazh të qartë dhe të drejtpërdrejtë për vitin 2026, duke e cilësuar vitin 2025 si “të humbur” për Kosovën dhe duke theksuar se viti i ri përfaqëson një mundësi vendimtare për rikthimin e besimit politik, ekonomik dhe ndërkombëtar.

Në një shkrim reflektues me “dhjetë dëshira” për Kosovën, të publikuar në koha.net, ambasadori vë theks te përgjegjësitë politike që e presin vendin, sidomos nevoja për një qeveri stabile, funksionale dhe vendimmarrëse, si dhe miratimin urgjent të buxhetit dhe marrëveshjeve kyçe ndërkombëtare. Sipas tij, vetëm institucione funksionale dhe respektimi i Kushtetutës shumetnike mund t’i dërgojnë sinjale serioze partnerëve ndërkombëtarë dhe investitorëve.

Në mesazhin e Hargreaves qëndron, pashmangshëm, edhe dialogu me Serbinë.

Ambasadori kërkon që Kosova të marrë iniciativën politike dhe të tregojë guxim për zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese, nën lehtësimin e Bashkimit Evropian, si rruga e vetme drejt një paqeje të qëndrueshme.

Ai thekson se, ndonëse Mbretëria e Bashkuar ka konfirmuar praninë e saj ushtarake në KFOR deri në vitin 2028, siguria afatgjatë nuk mund të mbështetet vetëm në praninë ndërkombëtare, por në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë–Serbi.

“Siguria e vërtetë është ajo që një ditë do t’u mundësojë ushtarëve tanë të kthehen në shtëpi”, nënvizon ambasadori, duke e bërë të qartë se pa marrëdhënie të qëndrueshme mes dy vendeve, stabiliteti i rajonit mbetet i brishtë.

Hargreaves gjithashtu lidh progresin në dialog me aspiratat euroatlantike të Kosovës, përfshirë anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe ambicien afatgjatë për NATO, duke theksuar se respektimi i marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, përfshirë çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, mbetet thelbësor.

Hargreaves ka bërë të qartë se, viti 2026, pritet të jetë, vit i vendimeve të vështira politike, me lidership të përgjegjshëm, angazhim serioz në dialogun me Serbinë dhe ndërtim të besimit të brendshëm e ndërkombëtar.

Vetëm kështu, sipas Hargreaves, Kosova mund të shndërrohet në një partnere të besueshme në sigurinë dhe prosperitetin evropian.