Ambasadori i SHBA-së në Turqi, Tom Barrack, ka theksuar rolin kyç të Ankarasë në dinamikën rajonale, duke deklaruar se “Izraeli duhet të ri-përcaktohet” dhe se “ajo që ndodhi midis Izraelit dhe Iranit është një mundësi për të gjithë ne që të themi ndalo, le të krijojmë një rrugë të re dhe Turqia është çelësi në atë rrugë të re”.
Duke folur për Anadolu, Barrack, i cili gjithashtu është përfaqësues i posaçëm i SHBA-së për Sirinë, reflektoi mbi lidhjet e tij të thella personale me Turqinë.
Duke kujtuar se gjyshi i tij emigroi në Amerikë në vitin 1900 me një pasaportë osmane dhe 13 lira me vete, Barrack tha: “Të kesh dhuratën dhe privilegjin e kthimit atje nga erdhi ADN-ja ime, si një diplomat i lartë për presidentin Trump është thjesht një privilegj”.
Barrack foli për marrëdhëniet SHBA-Turqi dhe zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme. Duke folur për takimin midis presidentit amerikan, Donald Trump dhe presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, të mbajtur gjatë Samitit të Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të NATO-s në Hagë, ambasadori amerikan tha se Trump dhe Erdoğan, si dhe ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ndajnë marrëdhënie të mira personale.
“Ne filluam me një lidhje dhe një mirëkuptim të këtyre katër personave, dy presidentëve dhe ministrave të jashtëm, duke pasur një marrëdhënie personale besimi me njëri-tjetrin në një kohë shumë, shumë të rëndësishme në histori”, tha ai.
Duke kujtuar se Trump dhe Erdoğan kanë folur dy herë në telefon, Barrack tha se kjo ndihmoi në ndërtimin e besimit dhe mirëbesimit midis tyre. Ai tha se po hapet një epokë e re e formuar nga Lindja e Mesme dhe Lindja e Afërt, duke theksuar se SHBA gjithmonë e ka konsideruar Turqinë si një aleate të rëndësishme të NATO-s.
“Turqia, lojtar i madh rajonal”
Më tej, Barrack tha se Trump dhe Erdoğan e shohin këtë situatë si një mundësi për të ndryshuar dialogun.
“Dialogu në Lindjen e Mesme kërkon lidership, kërkon lidership të fortë”, tha ai.
Duke reflektuar mbi rolin e Turqisë brenda NATO-s, ai tha se, “Duke iu afruar këtij takimi të NATO-s, ne gjithmonë kemi reflektuar ndaj Turqisë si një aleat i shkëlqyer i NATO-s. Por sipas mendimit tim, Turqia nuk ka marrë kurrë rëndësinë që duhet të ketë si një lojtar kaq i madh rajonal”.
Duke përshkruar një moment gjatë samitit të NATO-s, Barrack kujtoi se, “Nga kjo, duke parë foton familjare të NATO-s dhe duke parë presidentin Erdoğan pranë presidentit Trump dhe kur ata shtrënguan duart mund ta shihni presidentin Trump, i cili është shumë emocional nga brenda, në fakt i këndshëm, i butë, por zakonisht nuk e shfaq këtë në një mjedis pushteti. Dua të them, ky ishte një moment mahnitës”.
Ai theksoi se Izraeli ka çdo mundësi për të ndërtuar unitet me botën muslimane dhe gjithashtu theksoi rëndësinë e marrëveshjeve fillestare të bëra nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Sudani në avancimin e këtij procesi.
Barrack gjithashtu shprehu shpresë për dialog të rinovuar jo vetëm midis Sirisë dhe Izraelit, por edhe midis Libanit dhe Izraelit.
“Mendoj se Lindja e Mesme është gati të ketë një dialog të ri. Ne kemi lidership të shkëlqyer në të dyja palët. Njerëzit janë të lodhur nga e njëjta histori e vjetër dhe mendoj se do të shihni, me hapa të vegjël, të gjithë të fillojnë të kthehen drejt Marrëveshjeve të Abrahamit, veçanërisht pasi situata në Gaza zhduket”, tha ai.