Ambasadorët e vendeve të QUINT-it te Kurti, nuk flasin për media

Ambasadorët e vendeve të QUINT-it kanë zhvilluar sot takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

RTK-së, raporton se ambasadori francez, Olivier Guerot, ai i BE-së, Aivo Orav dhe ambasadori i Britanisë së Madhe, Jonathan Hargreaves kanë dalë tashmë nga objekti i qeverisë dhe janë larguar nga aty. Në oborrin e qeverisë është parë edhe vetura e ambasadorit gjerman Jorn Rohde.

Asnjëri prej tyre nuk ka pranuar të flasë para medieve rreth këtij takimi.

Kjo është hera e parë që ambasadorët e QUINT-it kanë zbarkuar në Kryeministri, pas dështimeve të njëpasnjëshme për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Kurti deri më tash nuk ka mundur t’i sigurojë votat e mjaftueshme për të zgjedhur kreun e Kuvendit të Kosovës. Fillimisht ajo kishte propozuar Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, por partitë që ishin në opozitë në legjislaturën e kaluar kanë refuzuar t’i japin votë asaj. Më pas vazhdimi i seancës konstituive është bllokuar tek mosvotimi i Komisionit për votim të fshehtë, që është propozuar nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari.

Ndërkohë, sot Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese lëndën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve të Kuvendit të Kosovës për konstituimin e legjislaturës së nëntë, përkatësisht votimin e fshehtë për kryetar të Kuvendit.