Në fillim të muajit shtator, Gallup publikoi raportin Global të Sigurisë 2025.
Rezultatet e këtij raporti i publikoi në rrjetin e tij X edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti. Në postimin e tij, Kurti shkroi se ky raport e rendit Kosovën të tretën në botë dhe të parën në Evropë për ligj dhe rend dhe në top dhjetëshe për siguri, raporton Kiks Kosova.
Por, çka është vërtet ky raport dhe si nxirren këto rezultate?
Ky indeks është një matës i perceptimit të njerëzve për sigurinë e tyre personale dhe efektivitetin e institucioneve të rendit, sipas perspektivës së qytetarëve.
Gallup njoftoi se për këtë raport ka intervistuar rreth 1 mijë njerëz në mbi 140 vende. Anketat bëhen përmes telefonit ose edhe në takime me qytetarë.
Rezultati nxirret nga përgjigjet e rreth 1 mijë qytetarëve të një shteti në katër pyetje:
1. A ndihesh i sigurt për të ecur vetëm natën në zonën ku jeton?
2. A ke besim në policinë lokale?
3. A të është vjedhur prona apo paratë gjatë vitit të fundit ty ose ndonjë familjari tënd?
4. A je sulmuar fizikisht apo je grabitur gjatë 12 muajve të fundit?
Bazuar në përgjigjet e këtyre katër pyetjeve, Gallup renditi Kosovën me indeksin më të lartë në Evropë dhe të tretin në botë, duke lënë pas edhe Norvegjinë e Zvicrën.
Gallup nuk bëri asnjë matje të të dhënave zyrtare apo nuk nxori ndonjë rezultat nga ndonjë hulumtim i thellë. Ky rezultat u bazua vetëm në përgjigjet e qytetarëve që i thirri në telefon për këto pyetje.
Megjithatë, në kohën e fushatës zgjedhore të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ky lajm u aktualizua sërish nga ministrja në detyrë e Diasporës, Donika Gërvalla. Postimin e saj për këtë sukses të Kosovës e shpërndanë të gjitha ambasadat e Kosovës nëpër botë.
E postimi për Gallup nuk ishte i vetmi që u shpërnda nga misionet diplomatike. Në faqet zyrtare të ambasadave e konsullatave të Kosovës nëpër botë ka më shumë shpërndarje të postimeve të Kurtit e Gërvallës sesa postime autoriale të këtyre misioneve.
Ndiqni më poshtë kronikën e plotë:











