Ambasada serbe në Zagreb: Pse nuk u konsultua Beogradi për marrëveshjen Kosovë-Shqipëri-Kroaci?

Kryeministri kroat Andrej Plenkoviq ka reaguar pas komenteve të fundit të presidentit serb, Alleksandar Vuçiq rreth bashkëpunimit në mbrojtje mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.

Plenkoviq tha se Kroacia nuk ka nevojë ta pyes askënd rreth kësaj, as Serbinë dhe as NATO-n.

E ndaj kësaj deklarate ka reaguar Ambasada e Serbisë në Zagreb, duke pyetur kreun e qeverisë kroate se pse nuk u konsultua Beogradi për këtë çështje.

“I kemi dëgjuar me kujdes dhe kemi marrë parasysh deklaratat e kryeministrit Plenkoviq dhe zyrtarëve të tjerë kroatë në lidhje me marrëveshjen midis Kroacisë, Shqipërisë” dhe Kosovës. “Duke kuptuar se çdo shtet ka të drejtën sovrane të lidhë marrëveshje në përputhje me orientimin e politikës së jashtme, Serbia ka të njëjtën të drejtë të shprehë shqetësimin kur lëvizjet e tilla të marrëveshjes ekzistuese ndikojnë drejtpërdrejt në interesin tonë kombëtar”.

“Serbia vazhdimisht mbron bashkëpunimin e bazuar në respektin reciprok, dialogun dhe respektimin e ligjit ndërkombëtar. Nëse kjo marrëveshje është vërtet ‘e zakonshme’ dhe ‘jo armiqësore’, siç pretendon kryeministri Plenkoviq, lind pyetja logjike – pse nuk u informua apo nuk u konsultua Serbia, duke pasur parasysh se kjo është një çështje e ndjeshme që ndër të tjera ndikon edhe në çështjen e integritetit tonë territorial?”, tha kjo ambasadë në platformën X.

Më tej, sikurse edhe krerët e shtetit serb, edhe ambasada serbe në Zagreb tha se marrëveshja Kosovë-Shqipëri-Kroaci “shkel frymën dhe kuptimin e Marrëveshjes Nën-rajonale të Kontrollit të Armëve të vitit 1996, e cila synon të ruajë stabilitetin dhe sigurinë në rajon”.

Ambasada serbe në Kroaci tha se i hedhin poshtë “përpjekjet për të paraqitur shqetësimet legjitime të Serbisë si ‘në kërkim të armiqve’”.

“Një qasje e tillë nuk i kontribuon marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë apo bashkëpunimit rajonal. Serbia nuk kërkon konflikte – Serbia kërkon transparencë, llogaridhënie dhe respektim të normave ndërkombëtare”.

“Ne mbetemi të përkushtuar për paqen dhe bashkëpunimin në rajon, por gjithashtu do të mbrojmë me vendosmëri sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë. Çdo veprim që injoron interesat legjitime të Serbisë, natyrisht do të përballet me një përgjigje të përshtatshme diplomatike”, u shpreh kjo ambasadë në X.

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan të martën një deklaratë për forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje, me mundësi që edhe vende të tjera të bashkohen. Deklarata thekson rëndësinë e përgjigjeve të përbashkëta ndaj sfidave të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera që mund të rrezikojnë stabilitetin rajonal.

Agjencia kroate e lajmeve “Hina” kujton se presidenti i Serbisë, “i cili shpesh mburret me armët e reja të vendit të tij dhe pretendon se ka ushtrinë më të fortë në rajon, kritikoi të mërkurën në Bruksel të tre vendet, duke pretenduar se marrëveshja e tyre hapi një garë armësh në rajon”.

“Është një memorandum i bashkëpunimit të përbashkët, nuk ka karakter armiqësor”, tha Plenkoviq, duke aluduar se Vuçiqi – duke pasur parasysh situatën në Serbi – po kërkon probleme diku tjetër.

“Por në këtë tekst nuk ka asnjë problem”, ka theksuar Plenkoviq.

Kryeministri kroat shtoi se memorandumi i ndihmon përpjekjet e Kosovës dhe Shqipërisë në reformat e tyre dhe shkëmbimin e përvojave.