Ambasada gjermane s’ka informacione për ndonjë përshkallëzim të situatës në Kosovë

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë tha se nuk ka informacione për ndonjë përshkallëzim ushtarak të situatës mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo i bëri komentet në pyetjen e Radios Evropa e Lirë nëse është në dijeni për ndonjë kërcënim të tillë që ka ekzistuar së voni.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha javën e kaluar se presidenti amerikan, Donald Trump, e ka parandaluar mundësinë e një përshkallëzimi të mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë, duke theksuar se bëhet fjalë “për zhvillime shumë, shumë të vona”.

Deklarata e saj nxiti reagimin e të dërguarit të Trumpit për misione speciale, Richard Grenell, i cili e akuzoi atë për manipulim të fjalëve të presidentit.

“Donald Trump është nominuar për Çmimin Nobel për Paqe për punën e tij për paqe dhe normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë në vitet 2019 dhe 2020, përmes Marrëveshjes së Uashingtonit. Osmani nuk ka qenë pjesë e asaj marrëveshjeje. Pretendimi se ka ndodhur diçka e re është absurd,” shkroi Grenell në X.

Deklaratat e Osmanit i hodhi poshtë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ekipi i Osmanit paralajmëroi se presidentja do të mbajë një konferencë për media, por nuk saktësoi më shumë.

Qeveria në detyrë e Kosovës dhe Ministria në detyrë e Punëve të Brendshme nuk iu përgjigjën pyetjes së Radios Evropa e Lirë se për çfarë lloj përshkallëzimi të situatës bëhej fjalë.

The post Ambasada gjermane s’ka informacione për ndonjë përshkallëzim të situatës në Kosovë appeared first on Kosovapost.net.