Ambasada e ShBA-ve përshëndet vendimin për shpërndarjen e Kuvendit

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka reaguar pas zhvillimit të fundit politik në vend, e që ishte shpërndarja e Kuvendit gjë që i hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme.

Në reagimin e shkurtër në Facebook, Ambasada ka përshëndetur votimin duke e quajtur “një hap i rëndësishëm përpara drejt krijimit të një qeverie të re.”

Më tej, ambasada e udhëhequr nga z.Philip Kosnett, ka sugjeruar edhe se në çka duhet të përqendrohen partitë politike gjatë fushatës zgjedhore.

Ajo thotë se vyejnë ide të reja për bisedimet me Serbinë, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik “në mënyrë që Kosova të mos humbas edhe më shumë kohë në ndërtimin e themeleve për të ardhmen.”

Deri më tash, asnjëra parti nuk ka ofruar ndonjë ide që do të linte mbresë për këto çështje, ndërkohë që jemi në pritje të shpalosjes së sloganeve të partive për fushatat e tyre respektive zgjedhore.

“Kuvendi ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm përpara drejt krijimit të qeverisë së re. Një fushatë në të cilën kandidatët ofrojnë ide të reja për bisedimet me Serbinë, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik do të siguronte që Kosova nuk do të humbas edhe më shumë kohë në ndërtimin e themeleve për të ardhmen.” – thuhet në deklaratën e saj.