Ambasada e SHBA-së e ashpër me opozitën në Shqipëri

Ambasada e SHBA-së në Shqipëri i ka dhënë “shuplakë” të fortë opozitës së këtij vendi, kur deklaron se Qeveria dhe Parlamenti aktual i Shqipërisë janë legjitimë dhe të njohura ndërkombëtarisht.

Në mesditën e së premtes, kur kishin mbetur edhe 24 orë nga protesta e thirrur nga opozita para Kryeministrisë, Ambasada amerikane bën thirrje për mosnxitje të dhunës dhe mosshkatërrim të pronës publike, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Pavarësisht se protesta paqësore është një shtyllë themelore e demokracisë, nxitja apo kryerja e veprimeve të dhunshme, përfshirë edhe shkatërrimin e pronës publike, janë të paligjshme. Ne i nxisim të gjithë aktorët e demokracisë shqiptare që të ushtrojnë vetëpërmbajtje në protestën e 16 marsit. Ambasada e Shteteve të Bashkuara i konsideron Qeverinë dhe Parlamentin aktual të Shqipërisë të zgjedhura në mënyrë legjitime nëpërmjet zgjedhjeve të vitit 2017, të njohura ndërkombëtarisht”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA-së.

Madje Ambasada amerikane u kërkon deputetëve që vendosën të braktisin mandatin të lejojnë ata që duan të punojnë për të ardhmen e vendit të bëjnë punën e tyre.