Ambasada e Kosovës në Abu Dhabi ka lëshuar një njoftim zyrtar me rëndësi për të gjithë qytetarët e bllokuar në Emiratet e Bashkuara Arabe, përfshirë edhe shtetasit e Kosovës që ndodhen atje si vizitorë turistikë, pas sulmeve të Iranit atje.
Sipas njoftimit, në përputhje me vendimin e autoriteteve përkatëse në Emirate, të gjithë mysafirëve që kanë arritur datën e check-out-it, por që nuk kanë mundësi të udhëtojnë për arsye jashtë kontrollit të tyre, do t’u zgjatet qëndrimi në objektet hoteliere ku janë akomoduar deri në momentin kur do të kenë mundësi të largohen nga vendi.
Ambasada ka bërë të ditur se shpenzimet e qëndrimit do të mbulohen nga data kur është bërë e pamundur udhëtimi, deri në datën kur largimi nga vendi bëhet i mundur.
Në njoftim u bëhet thirrje qytetarëve që ndodhen në këtë situatë të komunikojnë me menaxhmentin e hotelit ku janë vendosur dhe, për çdo paqartësi shtesë, të kontaktojnë Ambasadën e Republikës së Kosovës, e cila mbetet në dispozicion për informatë dhe asistencë të nevojshme.
ME RËNDËSI PËR TË GJITHË QYTETARËT E BLLOKUAR NË EMIRATET E BASHKUARA ARABE- PËRFSHIRË EDHE QYTETARËT E KOSOVËS
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, vizitorë turistik që ndodheni në Emiratet e Bashkuara Arabe
Ju informojmë se, në përputhje me vendimin e autoriteteve përkatëse në Emirate, të gjithë mysafirëve që kanë arritur datën e check-out-it, por që nuk kanë mundësi të udhëtojnë për arsye jashtë kontrollit të tyre, do t’u zgjatet qëndrimi në objektet hoteliere aty ku janë vendosur deri në momentin kur të kenë mundësi të largohen nga vendi.
Shpenzimet e qëndrimit do të mbulohen nga data e pamundësisë së udhëtimit deri në datën kur bëhet e mundur largimi.
Lusim të gjithë qytetarët që ndodhen në këtë situatë të komunikojnë me menaxhmentin e hotelit ku janë të akomoduar dhe, për çdo paqartësi shtesë, të kontaktojnë Ambasadën.
Ambasada e Republikës së Kosovës mbetet në dispozicionin tuaj për çdo informatë dhe asistencë të nevojshme.
Me respekt,
Ambasada e Republikës së Kosovës
Në Emiratet e Bashkuara Arabe










