Alternativa europiane e Kosovës ndaj BE-së? – Pjesa II
Shkruan: Agon Maliqi
(Vazhdim. Pjesa e parë e shkrimit është publikuar dje)
Sikur dobësitë e brendshme të BE-së, të shtjelluara në shkrimin e mëparshëm, të mos ishin mjaftueshëm problematike për të ardhmen e Europës, sot ajo përballet edhe me një mjedis të jashtëm krejt armiqësor. Projekti europian sot po sabotohet jo vetëm nga Rusia e cila po mundohet ta forcojë kontrollin mbi zonën e saj tradicionale të interesit – por edhe nga politika unilaterale e Presidentit Trump dhe SHBA-ve tradicionalisht aleate të Europës.
Pas kaosit dhe lëkundjeve të dy viteve të para, qasja e administratës Trump në marrëdhëniet ndërkombëtare përfundimisht e ka marrrë njëfarë orientimi i cili mund të kategorizohet si “nacionalizëm realist”. SHBA-të sot i trajtojnë interesat dhe aleancat si diçka transaksionale dhe janë cinike ndaj parimeve dhe vlerave demokratike që qëndrojnë në themel të aleancës transatlantike.
“Eksporti” i vlerave demokratike ishte pjesë e pandashme e politikës së jashtme amerikane qysh prej fundit të Luftës së Dytë Botërore. Për presidentët liberalë si Klinton dhe Obama apo ata neokonservatorë si Bush, forcimi i rendit botëror liberal dhe përhapja e demokracisë në botë shihej jo vetëm si mision moralisht i drejtë, por edhe si interes politik dhe ekonomik i perëndimit. Europa e bashkuar shihej si aleate e vlerave në këtë mision dhe si komplememtare me NATO-n. Prandaj SHBA-të historikisht kanë qenë mbështetëse të projektit të BE-së dhe të zgjerimit të saj drejt lindjes.
Natyrisht, gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit ka pasur rregullisht çarje në boshtin transatlantik në mes të SHBA-ve dhe Europës mbi strategjitë politike – mjafton t’i kujtojmë mospajtimet për Irakun. Por kurrë nuk ka pasur çarje si kjo e sotmja ku SHBA-të aktivisht e sabotojnë BE-në, nuk shohin dobi prej saj në agjendën e sotme politike, dhe e trajtojnë Gjermaninë ose me ftohtësi ose me raste thuajse si shtet armik.
SHBA-të nën administratën e Trump kanë hequr dorë nga promovimi dhe zgjerimi i hapësirës demokratike, e për rrjedhojë edhe i japin më pak rëndësi aleancës së vlerave. Sytë janë drejtuar tek rivalitet afatgjate me superfuqinë në rritje si Kina, por edhe me rivalet rajonale si Irani dhe Rusia. Strategjia e re kombëtare e sigurisë e SHBA e sheh botën e sotme si një botë të garës së ashpër për dominim ekonomik dhe usharak në mes të fuqive të mëdha, ku duhet t’i tregosh dhëmbët për të çarë përpara.
E në këtë drejtim SHBA-të duket se e kanë humbur durimin me Europën. Mbi të gjitha me Gjermaninë si motorin e kontinentit dhe bastionin më të fortë të mbetur të rendit liberal të urryer nga Trump. Administrata e tij konsideron se shetet europiane nuk janë mjaftueshëm agresive ndaj rivalëve strategjikë dhe se, duke mos investuar mjaftueshëm në mbrojtje, po pasurohen në kurriz të sigurisë së mundësuar nga SHBA-të.
Në thelb të qasjes së re amerikane ndaj aleancave qëndron bindja se NATO mbetet e pazëvendësueshme (përkundër rezervave personale të Trump). Por dominon cinizmi për dobinë e BE-së si entitet multilateral dhe për efektivitetit e saj veprues. SHBA-ja e re parapëlqen të punojnë me shtetet europiane bilateralisht. Tregues i kësaj ishte edhe lajmi se Departamenti i Shtetit tani së voni e ka ulur statusin diplomatik të misionit të BE-së në SHBA nga entitet shtetëror në “organizatë ndërkombëtare”.
Një prej pasojave të kësaj qasjeje unilaterale amerikane në raport me Europën, veçanërisht në kontekst të çarjeve brenda BE-së, do të jetë dobësimi i mëtutjeshëm BE-së dhe i ndikimit të saj. Pasojat e kësaj çarjeje transatlantike do të reflektohen sidomos në zonat kryesore të ndikimit të BE-së. Këtë reflektim po e edhe në Ballkan me hapjen e çështjes së kufijve.
Presionet nga brenda dhe nga jashtë dikur do ta detyrojnë BE-në që ose të paralizohet deri në shpartallim, ose të reformohet dhe ta rizbulojë veten. Siç u shpjegua në shkrimin e mëparshëm, federalizimi dhe thellimi i integrimit në një bashkim fiskal duket vështirë i mundshëm. Kështu që gjasat më të mëdha janë se do të shkohet drejt një Europe “me dy shpejtësi”, ku grupe të ndryshme shtetesh janë anëtarë por me nivele të ndryshme integrimi.
Nuk dihet se si do të trajtohej Ballkani perëndimor në këtë lloj arkitekture të re europiane dhe nëse do të trajtohej ose jo si grup, apo disa shtete megjithatë do të mund të bëheshin pjesë e bllokut në formatin e tij të ri. Gjasat më të mëdha janë se do të insistohet në njëfarë tregu apo ndoshta edhe unioni politik ballkanik që do të mbetej jashtë por do të kishte qasje speciale në tregun europian, i cili do të ndërtohej si vazhdimësi e Procesit të Berlinit.
Mungesa e perspektivës së qartë europiane dhe mundësia për dështimin e projektit europian është pa dyshim lajm i keq për Kosovën dhe për rajonin. Prej rreth dy dekadash perspektiva e anëtarësimit në BE e zbehte rëndësinë e kufijve në rajonin tonë dhe ishte garantuese e paqes.
Ç’është më e rëndësishmja, procesi i anëtarësimit në BE, i shoqëruar nga kushtëzimet për standardet e qeverisjes, u jepte shtysë reformave shumë të nevojshme demokratike dhe e bënte BE-në aleate të qytetarëve kundër elitave që e kanë kapur shtetin. Kapaciteti ynë demokratik si shoqëri mbetet i kufizuar dhe ne vazhdojmë të kemi nevojë për këtë shtytje nga jashtë.
Por ja qe sot jemi përballë një realiteti të ri në politikën botërore të cilin nuk mund ta mohojmë dhe të cilin si vend periferik s’kemi mundësi që ta formësojmë. Kosova gjithsesi formalisht nuk duhet të heqë dorë nga ambicia e saj për integrim në BE nëse ajo arrin t’i tejkalojë sfidat e brendshme. Por ne duhet të përgatitemi, ose të paktën të diskutojmë më hapur për plane dhe ide alternative të pozicionimit tonë si shtet, përtej retorikës boshe të integrimeve dhe të menduarit në autopilot.
Sfera jonë publike vazhdon të jetojë në iluzione mbi zhvillimet në Europë duke i trajtuar problemet sikur ato të ishin thjeshtë një fazë e tejkalueshme. E vërteta është se shkaqet që e prodhuan popullizmin në BE janë thellësisht strukturore dhe do të vazhdojnë të jenë aty sepse me gjasë nuk janë të zgjidhshme. Në të njëjtën kohë, çarja e aleancës transatlantike që na e garanton neve sigurinë nuk është vetëm një zhvillim i përkohshëm që shpjegohet vetëm nga fenomeni Trump. Ajo është pjesë e një shkundjeje serioze të rendit botëror, përmasat e së cilës sot nuk po arrijmë t’i kuptojmë.
Vendimi i shteteve të BE për të mos na i liberalizuar vizat – niveli më elementar i procesit të integrimeve – duhet të na shërbejë si këmbanë alarmi. Vendimi nuk duhet parë si ngjarje e izoluar e momentit por edhe si shenje e asaj që na pret në fazat e tjera të integrimit (nëse do të ketë).
Prandaj dilema jonë si Kosovë sot nuk është se a duam apo jo të jemi pjesë e BE-së, por a na do BE-ja neve si pjesë të saj, dhe a do të jetë BE-ja aty që ne të mund të hyjmë? Mbi të gjtha, pyetja edhë më e rëndësishme është se si e shohim ne Kosovën si shtet në arkitekturën e re të rajonit që do të krijohej si rezultat i dështimit të procesit të zgjerimit?
Në hapjen e diskutimit mbi këtë riorientim dhe ridefinim të interesave përballemi me shumë paqartësi dhe ndryshore të lëvizshme. Por të paktën mund të fillojmë dhe t’i vendosim disa korniza, parime dhe caqe të përgjithsme. A mund ta definojmë për Kosovën e së ardhmes një rrugë alternativë ndaj integrimit në BE në të cilën ne nuk do të hiqnim dorë prej vlerave europiane si liria, demokracia dhe të drejtat e njeriut?