Max Allegri iu përgjigj menjëherë pyetjes për herën e fundit kur Milani fitoi të dy derbet në një sezon: “Nëse të kujtohet, si përfundoi atëherë?” Trajneri kuqezi saktësoi: “Atë sezon fituam kampionatin, por tani Interi ka 7 pikë avantazh dhe janë shumë. Mund të ishim më të kthjellët në 30 metrat e fundit, por duhet të jemi të kënaqur. Kemi arritur kuotën 60 pikë, duke mbajtur pas Como dhe Juventus. Kemi punuar 6 muaj për të arritur në mars në gjendjen më të mirë, tani vendoset sezoni”.
Për golin e fitores në derbi shtoi: “Luis Henrique është lojtar i mirë, por e kishim përgatitur atë situatë. Edhe para golit pati një krosim të Rabiot. Estupinan, duke avancuar përpara, mund të befasonte. I zoti u tregua edhe Fofana për asistin. Skuadra është më mirë, e konsideroj mjaft të rëndësishëm këtë fitore. Na lumturoi prania e pronarëve në stadium, por nuk kemi arritur ende asgjë. Jemi të kënaqur për fitoren, por na mungon edhe një triumf për objektivin”.
Ai shtoi: “Në pjesën e parë vrapuam shumë, në të dytën u tërhoqëm pak dhe lejuam disa krosime, por jo raste të mëdha. Interi mbetet qartësisht favorit për titullin. Për disa muaj kishim vetëm 13-14 lojtarë. Tani të gjithë janë mirë fizikisht dhe kjo fitore na jep moral”.
The post Allegri: Na mungon edhe një fitore për objektivin tonë, Interi mbetet favorit për titullin appeared first on Telesport.










