Allegri ka Pirlon e tij të ri. Modric është i jashtëzakonshëm, “skaneri” i performancës së kroatit

Luka Modric, edhe pse 40-vjeç, ka qenë një nga më meritorët e Milanit në fitoren 2-1 ndaj Napolit në “San Siro”. Adrien Rabiot komentoi: “Të luash 90 minuta në këtë mënyrë në moshën 40-vjeçare… Nuk di si e bën. I pëlqen futbolli, e shijon çdo moment në fushë”. Modric, fitues i 6 Champions League dhe një “Topi të Artë”, është bërë lideri i ri i Milanit të Allegrit.

“Modeli i tij është një gjë që nuk shihet më në futboll, jemi me fat që e kemi ne”, – tha trajneri kuqezi. Allegri e ka vendosur si “regjisorin” kryesor të skuadrës, duke e përdorur si qendër të ndërtimit të lojës, ndërsa në fazën mbrojtëse bllokoi kundërsulmet e Di Lorenzos dhe Politanos.

Modric ishte i pranishëm gjatë gjithë ndeshjes mbrëmë, me 72 pasime dhe 91% saktësi, vetëm një pasim i gabuar në pjesën e parë. Në aspektin mbrojtës bëri 5 ndërhyrje dhe 2 thyerje aksionesh, përfshirë devijimin vendimtar ndaj goditjes së David Neres, që siguroi fitoren e Milanit. Paraqitje e klasit të lartë, nga një kampion i vërtetë.

The post Allegri ka Pirlon e tij të ri. Modric është i jashtëzakonshëm, “skaneri” i performancës së kroatit appeared first on Telesport.