Allegri flet si kryesues i Serie A: Mesazh për kampionatin? Aspak, kemi ende shumë rrugë për të bërë

Massimiliano Allegri, pas fitores me përmbysje 2-1 ndaj Fiorentinës, që e ngjiti Milanin në krye të renditjes pas 7 javësh kampionat, për herë të parë pas 3 vitesh, ruajti tonin e tij të zakonshëm të përmbajtur: “Mesazh për kampionatin? Aspak. Kemi fituar, morëm 3 pikët dhe kaq. Nga nesër rikuperojmë energjitë me entuziazëm, por pa u ekzaltuar, sepse rruga është ende e gjatë”.

Trajneri shmangu polemikat me Fiorentinën, e irrituar nga penalltia për Gimenez: “Nuk dua të përgjigjem. Deri në golin e Gosens nuk patëm asnjë rrezik. Pas disavantazhit, skuadra reagoi mirë”. Për Leao tha: “Në pjesën e dytë pamë një qendërsulmues fiks, ishte më i lirë. Edhe Fofana bëri hyrje të mira nga mesfusha, një avantazh i madh”.

Për penalltinë: “Unë i thashë Rafa të godiste, ishte sprovuar mirë. Nuk i shikoj kurrë penalltitë. Në Torino s’më solli fat, sot po”. Mbi vendimin për Gimenez: “Duhej lexuar ndeshja, isha pa sulmues në stol. Kam pritur momentin e duhur dhe funksionoi”.

The post Allegri flet si kryesues i Serie A: Mesazh për kampionatin? Aspak, kemi ende shumë rrugë për të bërë appeared first on Telesport.