Lidhur me atë se urat në Mitrovicë po ndërtohen për fushatë zgjedhore, Ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu tha se këto po realizohen me kerkesë të komunave, përcjell Reporteri.net.
“Projektet janë nisur dhe po realizohen në bashkëpunim me komunat. I kemi ndërtuar urat në Mitrovicë me kërkesë të komunave, po realizohen. Kaq”, deklaroi ministri Aliu pas përurimit të rrugës së re në Komunën e Shtimes, një projekt në vlerë 900 mijë euro.
Pasditen e 1 korrikut ishte bërë vendosja e gurthemeleve për dy urat mbi lumin Ibër. Një nga urat është vetëm për këmbësor, ndërsa tjetra për vetura dhe këmbësorë.
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kishte nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Komunën e Mitrovicës së Jugut dhe atë të Veriut për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër, ku theksohej se ky projekt ka për qëllim të lehtësojë qarkullimin e qytetarëve të të dy komunave dhe të shërbejë si infrastrukturë në komunikimin dhe bashkëpunimin ndërmjet tyre.