Aleanca ushtarake Shqipëri-Kosovë-Kroaci, Vëngu i përgjigjet Serbisë: E kotë çdo narrative viktimizuese

Zbardhet marrëveshja e firmosur në Tiranë të martën e 18 marsit mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe ndërveprim ushtarak mes tri vendeve, e cila shqetësoi Beogradin zyrtar. Kjo marrëveshje përmbante 4 objektiva kryesor që duhen përmbushur nga shtetet përkatëse, ku ndër kryesoret ishte mbështetja ndaj Kosovës për të marrëstatusin e saj në NATO.

“Aleanca ushtarake Shqipëri -Kosovë – Kroaci “Promovimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe bashkëpunimi për industrinë përkatëse. Rritja e ndërveprueshmërisë nëpërmjet edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve. Kundërpërgjigje ndaj kërcënimeve hibride dhe rritja e qëndrueshmërisë. Mbështetja e perspektivën euroatlantike të Kosovës duke ofruar mbështetje për statusin e saj në Partneritetin për Paqe të NATO-s”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Narrativë viktimizuese e ka cilësuar ministri i mbrojtjes Pirro Vengu, deklaratën e presidentit serb Aleksandër Vuçiç që e quajti marrëveshjes mes tri vendeve “hapje e një gare armatimi”.

“Serbia, duke ndjekur prej dy vitesh një politikë të karriges boshe në iniciativat rajonale, ia ka pezulluar në mënyrë të njëanshme vetes mundësinë për të nxitur ose për të marrë pjesë në konsultime shumëpalëshe. Ky pezullim, që është në dorën e Serbisë të lihet mënjanë, e bën të kotë çdo narrativë viktimizuese që vjen nga qeveria serbe”, tha ministri i mbrojtjes Pirro Vengu.

Në përfundim të reagimit Vengu pohon se Shqipëria nuk ka precedentë marrëveshjesh ose traktatesh të fshehta në dëm të fqinjëve, siç e kanë pasur shtete të tjera.