Kosova mund të nxjerrë përfitime të shumta që burojnë nga deklarata e përbashkët ushtarake e lidhur me Kroacinë e Shqipërinë, thonë njohës të çështjeve të sigurisë. Ata theksojnë se bashkëpunimi i Kosovës me dy shtetet anëtare të Aleancës Veritatlantike do ta ndihmojë Kosovës edhe në mbrojtjen nga sulmet hibride.
Deklarata ushtarake e nënshkruar me dy vendet anëtare të Aleancës Veriatlantike – Shqipërinë e Kroacinë – pritet t’i sjellë Kosovës përfitime në përafrimin e rrugës drejt NATO-s, thonë njohës të çështjeve të sigurisë.
Ky përafrim, sipas tyre, do të mundësohet nëpërmjet pikës së katërt të deklaratës që e parasheh mbështetjen për statusin e Kosovës në Partneritetin për Paqe.
Jeta Loshaj, hulumtuese në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë se me gjithë që anëtarësimi në Aleancën Veriatlantike e kërkon përmbushjen e disa kushteve, aleanca trepalëshe krijon lehtësi.
“Në qoftë se ne si shtet i rrisim kapacitetet e mbrojtjes përmes partneriteteve të tilla, gjejmë mënyra për të zgjeruar bashkëpunimin me vetë NATO-n, dhe i përmbushim kriteret për përafrim ndaj anëtarësimit në programet e NATO-s, rruga për anëtarësim mund të jetë më e lehtë”, ka thënë Loshaj.
Krahas kësaj, ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, thotë se marrëveshja mbartë edhe peshë politike.
“Kjo aleancë ushtarake që është bërë ndërmjet këtyre tri shteteve i tregon qartë Serbisë se nuk është më ai shteti, i cili mund të bëjë destabilizim rajonal, por kjo aleancë në një mënyrë apo një tjetër i tregon që është bërë një marrëveshje për mbrojtjen e interesave nacionale të këtyre tri shteteve”, ka deklaruar ai.
Kosova është përballur së fundi me sulmin terrorist në Banjskë dhe me atë në kanalin e Ibër-Lepencit, që konsiderohet infrastrukturë kritike.
Loshaj e thekson si të rëndësishme marrëveshjen për ballafaqimin me të tilla sulme.
“Pa lënë anash tri aspektet e tjera, do ta theksoja elementin e tretë (të deklaratës) në veçanti si shumë të nevojshëm për t’u adresuar, që ka të bëjë me ballafaqimin me sulmet hibride, siç janë ato kibernetike dhe ato ndaj infrastrukturës kritike”, është shprehur Loshaj.
E Skender Perteshi, drejtor i Institutit për Siguri dhe Reziliencë, Prevent, e kualifikoi deklaratën mes Kosovës, Shqipërisë e Kroacisë si një përgjigje karshi ndryshimeve të fundit gjeopolitike në botë.
“Është një lloj reflektimi karshi rreziqeve dhe kërcënimeve në rritje që i kanosen rajonit, Evropës dhe botës dhe shtetit tonë në përgjithësi… Marrëveshja nuk duhet të shihet si rrezik as nga Serbia, as ndonjë shtet tjetër në rajon, por më shumë duhet të shihet si një zotim që të tria shtetet do ta thellojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes”, ka thënë Perteshi.
Deklarata ka nxitur reagim në Serbi, duke prodhuar kundërpërgjigje nga presidentja, Vjosa Osmani, kryeministri kroat, Andrej Pllenkoviq e ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu.